Putini pranon një takim me Zelenskyn brenda gushtit
Presidenti rus Vladimir Putin i thotë “po” një takimi dypalësh me Volodymyr Zelenskyn.
Takimi ballë për ballë midis dy rivalëve do të zhvillohet deri në fund të gushtit, në një vend që ende nuk është përcaktuar dhe do të pasohet nga një takim trepalësh me Donald Trumpin.
“Përgatitjet janë duke u zhvilluar”, tha presidenti amerikan, duke iu referuar samitit midis dy udhëheqësve.
”Ky është një takim historik gjatë të cilit”, pranoi Zelensky, ”do të trajtohet çështja e territoreve”, një temë që nuk u trajtua gjatë ditës së gjatë të takimeve në Shtëpinë e Bardhë, pavarësisht bisedës së Trumpit për një shkëmbim territoresh për javë të tëra.
Vëmendja e udhëheqësve u përqendrua te garancitë e sigurisë, një pikë mbi të cilën debati i nxehtë do të vazhdojë.
“Ne diskutuam garancitë e sigurisë për Ukrainën, garanci që do të ofrohen nga vende të ndryshme evropiane, në koordinim me Shtetet e Bashkuara”, shpjegoi Trumpi pa hyrë në detaje.
“Ne po vlerësojmë garancitë e tipit të Nenit 5 të NATO-s”, theksoi sekretari i përgjithshëm Mark Rutte në një intervistë me ”Fox News” duke specifikuar se vendosja e mundshme e trupave amerikane nuk u diskutua.
“Ne do të punojmë në ditët në vijim dhe duhet të diskutojmë më shumë detaje”, shtoi ai.
“Perëndorët do të formalizojnë garancitë e sigurisë për Ukrainën brenda 10 ditësh”, njoftoi Zelensky, duke nënkuptuar se negociatat do të vazhdojnë në një nivel të lartë.
Udhëheqësit evropianë, përfshirë presidentin ukrainas, e përshkruan një takim pozitiv dhe konstruktiv në Shtëpinë e Bardhë me Trumpin.
Bisedimet ishin “intensive”, theksoi kancelari gjerman Friedrich Merz, duke specifikuar se lëshimet territoriale nuk mund t’i imponohen Kievit.
Merzi megjithatë shprehu vlerësim për angazhimin amerikan për të ofruar garanci sigurie.
Duke folur për “progresin”, presidenti francez Emmanuel Macron shprehu kujdes, kur tha se ”dyshoj se Putini dëshiron paqe” duke bërë thirrje për “një rritje të sanksioneve” kundër Rusisë nëse negociatat dështojnë.
”Udhëheqësi i Kremlinit nuk është i besueshëm”, vuri në dukje presidenti finlandez Alexander Stubb, duke theksuar se telefonata e Trump me udhëheqësin e Kremlinit gjatë bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë ishte një ide e mirë.
Megjithatë, mbetet për t’u parë, theksoi ai, nëse ai do të ketë guximin të ndërmarrë një takim të tillë. /Atsh