PDK-ja do t’i drejtohet Kushtetueses lidhur me daljen e bizneseve në treg të lirë të energjisë
Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se do ta dorëzojë në Gjykatë Kushtetuese këtë javë ankesën ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për daljen e afro 1300 bizneseve në tregun e lirë të energjisë.
Vendimi për liberalizimin e tregut ka hyrë në fuqi më 1 qershor 2025, sipas të cilit të gjitha kompanitë me më shumë se 50 punëtorë ose me qarkullim mbi 10 milionë euro në vit janë të obliguara të kalojnë në tregun e hapur. Për të mos mbetur pa energji gjatë një periudhe tranzitore mbi dy muaj bizneset u furnizuan përkohësisht nga KEK-u si Furnizues i Mundësisë së Fundit. Por nga 16 gushti ka nisur shkyçja e tyre.
Krasniqi ka thënë se do t'i drejtohen Kushtetueses këtë javë.
“Në konsultim me avokatin Faton Fetahu dhe ekipin e juristëve të PDK-së, kemi konstatuar se tashmë janë përmbushur të gjitha kushtet ligjore që ky vendim i ZRRE-së të ankimohet në Gjykatën Kushtetuese, gjë që do ta bëjmë gjatë kësaj jave. Ne do të kërkojmë masë të përkohshme, në mënyrë që ky vendim i dëmshëm të mos zbatohet deri në shqyrtimin përfundimtar të çështjes. Ky nuk është vetëm një proces gjyqësor. Është një betejë për të mbrojtur bizneset tona, ekonominë e vendit, punëtorët tanë dhe familjet e tyre nga një abuzim i pashembullt i pushtetit, i cili i ka detyruar qytetarët dhe ndërmarrjet të blejnë energji me çmime 280% më të larta – vetëm për të mbushur xhepat e kompanive të licencuara nga qeveria. PDK do të jetë deri në fund në krah të ndërmarrësve dhe qytetarëve të Kosovës, për ta ndalur këtë padrejtësi të madhe dhe për të mbrojtur interesin publik”, shkroi Krasniqi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook.