Radovan Vishkoviq jep dorëheqje nga posti i kryeministrit të Republikës Sërpska
Radovan Vishkoviq, kryeministër i entitetit të Bosnjë e Hercegovinës, Republika Sërpska, dha dorëheqje nga posti i tij të hënën, më 18 gusht.
Ai është anëtar i Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD), të udhëhequr nga Millorad Dodik.
Vishkoviqi është një nga të dyshuarit në hetimin e Prokurorisë së Bosnjë e Hercegovinës për veprën penale të sulmit ndaj rendit kushtetues.
Për të njëjtën vepër akuzohen edhe Dodiku, president i Republikës Sërpska, si dhe Nenad Stevandiq, kryetar i parlamentit të entitetit.
Nuk janë bërë të ditur arsyet pse Vishkoviqi dha dorëheqje, por vetëm u njoftua se do të zgjidhet një qeveri e re e Republikës Sërpska.
“Ky është një ditë që e kam pritur qysh kur u emërova kryeministër i Republikës Sërpska. Kjo është edhe kontributi im për një konsensus sa më të gjerë në Republikën Sërpska”, tha Vishkoviqi në një konferencë për media, pas një takimi në selinë e presidentit të entitetit.
Ai shtoi se “mbetet pjesë e ekipit të SNSD-së”.
Milorad Dodik, kryetar i SNSD-së, njoftoi se Vishkoviqi do të vazhdojë punën si drejtor i Autostradave të Republikës Sërpska.
Vishkoviqi ishte në krye të Qeverisë së Republikës Sërpska që nga viti 2018, ndërsa mandatin e tij opozita shpesh e ka kritikuar për mënyrën e menaxhimit të resurseve të entitetit, për dhe qasjen ndaj institucioneve të Bosnjë e Hercegovinës.
Që nga korriku i vitit 2023, Vishkoviqi gjendet në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shkak të kërcënimeve ndaj Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, dhe cenimit të sovranitetit të Bosnjë e Hercegovinës.
Siç pati bërë të ditur atëherë Departamenti amerikan i Thesarit, Vishkoviq është një nga udhëheqësit në RS, i cili mban përgjegjësi “për nxitjen e miratimit të ligjeve në Kuvendin Popullor të Republikës Sërpska, me të cilat vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës shpallen të pazbatueshme në RS, duke penguar dhe rrezikuar kështu zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit”.
Këto sanksione përfshijnë ndalimin e hyrjes në SHBA dhe ngrirjen e pasurisë që gjendet nën juridiksionin e tyre. /Rel