AKB-ja paralajmëron krizë të rëndë energjetike: 200 kompanive u ndërpritet rryma, do t’i përdorim të gjitha mjetet juridike
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka ngritur alarmin për krizën e energjisë që ka goditur bizneset në Kosovë, duke deklaruar se ndërprerja e dhunshme e energjisë elektrike ka lënë mbi 200 kompani me më shumë se 10 mijë punëtorë jashtë funksionit.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, tha se veprimet e KEDS-it, të shoqëruara edhe nga Policia e Kosovës, kanë shkaktuar humbje të mëdha ekonomike dhe dëme të pariparueshme për imazhin e vendit.
“Sot ju kemi thirrur për të ngritur një alarm publik të madh. Bizneset e Kosovës po përballen me një krizë të paprecedent. Në mënyrë të dhunshme, me asistimin e policisë së shtetit, KEDS ka ndërprerë energjinë elektrike për mbi 1.200 njehsorë elektrikë, që përfshijnë më shumë se 200 kompani, që kanë mbi 10 mijë punëtorë. Ky veprim ka ndaluar prodhimin, ka krijuar havari në ekonomi, ka shkaktuar stres të madh te punëtorët dhe menaxherët dhe ka dëmtuar rëndë imazhin e Kosovës si vend i sigurt për investime si për investitorët vendorë, ashtu edhe për ata të huaj. Dëmet materiale janë shumë milionëshe”, tha Shahini.
Ai e cilësoi të papranueshme përfshirjen e Policisë së Kosovës në këtë proces, duke e konsideruar si shkelje të rëndë ligjore dhe abuzim me autoritetin.
“Është e papranueshme që një institucion i shtetit, Policia e Kosovës, të përdoret për të asistuar një kompani private kundër kompanive dhe bizneseve të tjera private, pa vendim gjykate. Kjo është një shkelje e rëndë ligjore, një abuzim me autoritetin dhe një goditje direkte ndaj sundimit të ligjit dhe të drejtave të bizneseve. Aleanca Kosovare e Bizneseve e konsideron këtë si një goditje të rëndë dhe të padrejtë ndaj ekonomisë së vendit. Bizneset janë shtylla e zhvillimit, krijues të vendeve të punës dhe kontribues kryesorë në buxhetin e shtetit, ku vitin e kaluar përafërsisht mbi 2.5 miliardë euro kontribuan në buxhetin e shtetit”, u shpreh kryetari i AKB-së.
Shahini kërkoi ndalimin e menjëhershëm të kësaj fushate ndaj bizneseve dhe hapjen e një dialogu të barabartë.
“Prandaj, kërkojmë ndërprerjen e menjëhershme të kësaj fushate kundër bizneseve. Të krijohet një dialog i hapur dhe i barabartë mes ZRRE-së, KEDS-it dhe komunitetit të biznesit bashkë me Qeverinë. Transparencë dhe respektim të ligjit në trajtimin e furnizimeve me energji elektrike. Aktualisht Kosova ka energjinë më të lartë në rajon. Nëse këto kërkesa nuk merren parasysh, AKB do të përdorë të gjitha mjetet juridike në mbrojtje të bizneseve”, tha ai.
Kritika të ashpra erdhën edhe nga vetë përfaqësuesit e kompanive të prekura.
Ahmet Kuçi nga kompania “Solid” në Suharekë, që merret me prodhimin e këpucëve dhe ka mbi 300 punëtorë, tha se veprimet e KEDS-it e kanë lënë pa zgjidhje.
“Ne kompania ‘Solid’ për momentin e kemi paditur KEDS-in, lënda është në gjykatë, nuk na është kthyer ndonjë përgjigje. Por në parashikim kemi bërë një kontratë me KEK ku na është kërkuar 15 mijë euro t’i lëmë garancion. Ai garancion nuk ka arsyetim, kurse konkretisht fatura e rrymës që na është dërguar është 2100 euro, më e lartë se në muajt e mëparshëm. Ne jemi të shqetësuar shumë. Këto 15 mijë euro pritet do ta ngrisin rrymën më shumë, derisa nuk ka arsyetim për këtë. Shpresojmë që dikush do të del dhe do të thotë se kështu nuk shkon, prodhimi e ngrit shtetin lartë”, tha ai.
Anëtarja e AKB-së, Lumnije Hajdini, bëri të ditur se shumë investitorë të huaj janë ankuar, përfshirë kompaninë “Simtex” SHPK, që ka investuar 20 milionë euro në Kosovë dhe punëson mbi 146 punëtorë.
Ajo tha se pas situatës së krijuar, kjo kompani pritet të humbasë një pjesë të madhe të fuqisë punëtore.
“Tash për këtë investitorët kanë pasur asnjë vlerë. Pasojat që do të jenë në këtë kompani është se 66 deri 69 punonjës ai është i detyruar që t’i pushojë nga puna. Ku paga mesatare për punëtorët e thjeshtë është 600-700 euro, ndërsa për nivelin më të lartë shkojnë nga 1000-1200,” tha ajo. /EO