Pas 4 muajsh, aparati i rezonancës magnetike rikthehet në funksion në Spitalin e Pejës

Që nga muaji prill i këtij viti aparati i rezonancës magnetike ishte jashtë funksionit në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës.

Sot Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) njoftoi se është kryer funksionalizimi i pajisjeve diagnostike, duke përfshirë Rezonancën Magnetike dhe Rëntgenin Digjital.

“SHSKUK-ja ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve për periudhën kur këto shërbime nuk ishin në shërbim të pacientëve, për shkak të procedurave të domosdoshme të prokurimit dhe kohës që kërkojnë ato. SHSKUK-ja mbetet e përkushtuar që, përmes përkrahjes buxhetore dhe investimeve të vazhdueshme, të përmirësojë infrastrukturën dhe cilësinë e shërbimeve në të gjitha spitalet e përgjithshme dhe institucionet e tjera përbërëse”, thuhet në njoftim.