Përdorimi i platformave “Booking” dhe “Airbnb” për akomodim, rrezik për hotelerinë dhe qiratë
Përdorimi në rritje i platformave si Booking dhe Airbnb për akomodim në Kosovë po ngre shqetësime të mëdha për sektorin formal të turizmit.
Ekonomisti Safet Gërxhaliu ka ngritur shqetësimin për rritjen e informalitetit në turizëm në Kosovë, duke theksuar se shumë turistë po shfrytëzojnë platforma si Booking dhe Airbnb për akomodim, duke anashkaluar sistemin formal dhe detyrimet tatimore.
Gërxhaliu theksoi se kjo praktikë po dëmton sektorin e hotelerisë, i cili është i regjistruar, paguan tatime dhe punëson staf.
“Është e vërtetë që ne duhet të gëzohemi që po vijnë vizitorë të ndryshëm, kemi pasur festivale dhe shohim të rinjtë të huaj të vijnë në Kosovë, mirëpo brenga më e madhe është sa ka informalitet në turizëm aktual. Duke pasur parasysh që sot po shfrytëzohen platforma të ndryshme për regjistrim apo për akomodim, siç është bookingu, arbn dhe shumë platforma të tjera, shumë sektorë të ekonomisë kosovare po dëmtohen. Në veçanti kemi të bëjmë me hotelieri, shumë hotele që janë transparente, paguajnë tatime, paguajnë punëtorë, investojnë, janë para falimentimit. Në anën tjetër kemi vizita të shumta të cilat vijnë në Kosovë dhe e shfrytëzojnë booking apo airbnb për të qëndruar në Kosovë, ku mungon evidencë, transparencë, aspekti numerik i turistëve dhe mbi të gjitha të hyrat financiare të cilat e dëmtojnë realitetin e krijuar në Kosovë”, deklaroi Gërxhaliu.
Ai shtoi se shumë hotele që janë transparente, paguajnë tatime, punësojnë njerëz dhe investojnë, sot janë para falimentimit, ndërkohë që apartamente të shumta jepen me qira përmes platformave si Booking dhe Airbnb, pa asnjë lloj kontrolli apo kontributi financiar për shtetin.
“Bazuar në faktin që Kosova është e kapluar nga inflacioni, po shihet që sektori i ndërtimtarisë është i ngulfatur dhe vet fakti që sot kemi më shumë orientim që pronarët e banesave të shfrytëzojnë booking dhe format tjera për vizitorët e huaj, po ndikon në ngritjen e çmimit të banesave, ku shumë studentë dhe qytetarë e kanë të pamundur të përballojnë koston e qirasë për banim. Në anën tjetër kemi pronarë të shumtë që kanë banesa dhe nuk i shesin sepse po i shfrytëzojnë për booking. E tëra kjo po e dëmton ekonominë kosovare. Duhet në këtë drejtim të kemi dialog dhe të ngritet zëri i hotelerisë që paguan kontributet. Ky fenomen nuk është vetëm problem i Kosovës, por për shkak të krizës ekonomike theksohet më shumë. Këto platforma pa tatim, pa evidencë, që sektorin e hotelizmit po e bëjnë konkurrencë jo të drejtë, po i dëmtojnë ata që mendojnë të kontribuojnë për shtet, të promovojnë turizmin dhe të përmirësojnë imazhin e vendit të tyre”, theksoi ai.
Sadik Maqedonci nga Oda e Hotelerisë dhe Turizmit theksoi se gjatë ngjarjeve të mëdha, si festivali Sunny Hill, të gjitha apartamentet e ofruara përmes këtyre platformave janë zënë, duke ndikuar direkt në rritjen e çmimeve të qirave për banorët lokalë.
“Është fakt që ndikon për arsye se me booking qasja në tregun e qirasë ditore është tregu më i gjerë. Kur ishte festivali Sunnyhill, sipas statistikave, të gjitha apartamentet kanë qenë të dhëna me qira të cilat kanë qenë në booking. Është një trend botëror i turizmit ku në shumicën e rasteve turistët e zgjedhin akomodimin përmes bookingut, apartamenteve të ndryshme, pavarësisht se shërbimet e ofruara nuk janë të njëjta sikur në hotele. Kjo ndikon menjëherë në çmimin e qirave për të gjithë ata banorë të atij qyteti, ndikon në rritjen e çmimeve”, ka thënë ai.
Sipas tij, kjo formë e turizmit nuk ofron të njëjtat standarde si hotelet, por prapëseprapë po përhapet me shpejtësi, duke lënë sektorin formal në pozitë të pafavorshme.
“Çdo gjë që nuk evidentohet dhe nuk lëshohet kupon fiskal është jashtëligjore, mirëpo për këtë arsye me këtë problematikë do të merret ATK-ja, e cila duhet të bëjë regjistrimin e të gjitha agjencive që ofrojnë kësilloj akomodimi. Hotelet e kanë shërbimin më të veçantë, por një mungesë tjetër është që realisht Prishtina nuk ka kapacitet të madh akomodues të hoteleve, por edhe vendet tjera të Kosovës”, përfundoi Maqedonci. /EO