Pajisja me autoblinda, Maqedonci: Ushtria jonë po bëhet garanci më e fortë për mbrojtjen e sovranitetit dhe territorialitetit të vendit
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka shkruar për kontingjentin e dytë të automjeteve të blinduara ASV të blera nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të cilat tashmë kanë ardhur në Kosovë.
Sipas tij, këto mjete ishin kontraktuar në prill të vitit 2024, ndërsa pagesa për to u ekzekutua në qershor të po atij viti.
Maqedonci tha se sipas Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, FSK-ja duhej të arrinte disa dhjetëra automjete të blinduara deri në vitin 2028.
Por, deri në vitin 2025, ushtria e Kosovës ka arritur të pajiset me disa qindra autoblinda, duke e tejkaluar me 207% numrin e parashikuar tre vite më herët.
“Me investimet e shtuara në blerjet ushtarake si dhe me intensifikimin e fushatave të rekrutimit, gjatë mandatit tonë qeverisës, Kosova po e rritë dhe fuqizon ushtrinë e saj, duke i rritur kapacitet e FSK-së krahas ngritjes së nivelit të saj profesional përmes trajnimeve dhe edukimit. Duke e forcuar ushtrinë tonë, ajo bëhet garanci më e fortë për mbrojtjen e sovranitetit dhe territorialitetit të vendit, kurse duke u rritur dhe fuqizuar, Forca jonë bëhet më e ndërveprueshme me aleatët tanë, rrugës për në NATO”, ka shkruar Maqedonci në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook.
Ai përkujtoi se buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së ka kaluar nga 67 milionë euro në vitin 2021, në 208 milionë euro në vitin 2025, pa përfshirë alokimet shtesë.
Maqedonci theksoi se investimet në pajisje ushtarake, bashkë me rekrutimin dhe trajnimin e kuadrove të rinj, po e bëjnë FSK-në një forcë më profesionale dhe një garanci për mbrojtjen e sovranitetit të vendit.