Shehu: Çdo rrugë e hapur, një hap më afër zhvillimit të Junikut

Ruzhdi Shehu, Kryetari i Komunës së Junikut, njëherësh kandidat i LDK-së për kryetar në zgjedhjet e ardhshme lokale, ka njoftuar për nisjen e punimeve për hapjen e rrugës fushore në fshatin Jasiq.

Ai ka bërë të ditur se projekti do të përfundojë shumë shpejt, ndërsa paralelisht në ditët në vijim do të fillojnë edhe punimet për hapjen e rrugës fushore në lagjen Bajraktar.

“Këto rrugë do të lehtësojnë qasjen e banorëve, do të krijojnë mundësi të reja për zhvillimin e turizmit malor dhe do të mbështesin bujqësinë vendore, duke dhënë frymë të re jetës ekonomike në këto zona”, ka shkruar Shehu në Facebook.

Ai ka shtuar se çdo projekt që realizohet synon të sjellë “ndryshim të qëndrueshëm dhe të barabartë për të gjithë qytetarët”, duke theksuar se “çdo rrugë e hapur është një hap më afër zhvillimit që meritojmë”.