Kërkesa e ZPS-së për ndalimin e vizitave të Thaçit, Gjykata ende pa vendim

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka kërkuar që ish-presidentit Thaçi t’i ndalohen vizitat nga 14 persona, mes tyre familjarë e miq. Gjykata Speciale i ka thënë Dukagjinit se kjo kërkesë është parashtruar në maj të këtij viti, por deri më tani nuk ka asnjë vendim publik nga ana e gjykatësit

Hashim Thaçit t’i ndalohen vizitat nga 14 persona, përfshirë tre vëllezërit e tij.

Kjo është kërkesa e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë për shtimin e masave mbi takimet e Thaçit, një listë emrash në të cilën hyjnë edhe bashkëpunëtorë e miq të ngushtë.

Ndër arsyet e përmendura siç ka raportuar Klan Kosova, mbeten temat që diskutohen në këto takime që quhen të privilegjuara e që Thaçit i mundësojnë përditësimin me situatën politike e ekonomike në vend.

Gjykata Speciale ka konfirmuar për televizionin Dukagjini kërkesën e Prokurorisë, por ka thënë se akoma nuk ka një vendim publik.

“Së pari, dua të theksoj se deri më tani nuk ka asnjë vendim publik nga Gjykatësi i Procedurës Paraprake mbi këtë çështje. Në këtë pikë, siç u përmend, prokuroria ka kërkuar disa masa në një parashtresë të fundit dhe Mbrojtja ka dhënë qëndrimin e saj si përgjigje ndaj kërkesës së Prokurorisë“- Angela Griep, Shefe e Zyrës për Media, DhSK

Griep ka bërë të ditur se kërkesa nga ZPS-ja është parashtruar në muajin maj, dhe sipas saj, kërkon pezullimin e disa vizitave jo të privilegjuara për arsye që lidhen me sigurinë dhe mbrojtjen e procedurave.

Shefja e Zyrës për Media thotë se parashtresa nuk përmend asnjë emër.

Ndërsa sa i përket bazës ligjore për kufizimet e vizitave tek një i paraburgosur, Griep ka theksuar se rregulla “56 e Rregullores së Procedurës dhe Provave parashikon se Paneli mund të vendosë mbi kushtet e paraburgimit dhe çështje të ndërlidhura me qëllim mbrojtjen e dëshmitarëve ose viktimave, informacionit konfidencial ose integritetit të procedurave, përfshirë vendosjen e kufizimeve të nevojshme dhe proporcionale mbi komunikimet e një personi të paraburgosur”.

Kërkesën e ZPS-së nuk kanë dashur ta komentojnë vëllezërit Thaçi, përfaqësues të së cilëve thonë se ende s’ka vendim përfundimtar.

Por një reagim e ka bërë edhe ai të cilit iu lakua emri, ish-këshilltari i presidentit, njëheri deputeti i PDK-së, Artan Behrami.

“Vetëm në regjime totalitare u ndalohet të paraburgosurve takimi me vëllezër ose bashkëpunëtorë të ngushtë! Prokuroria e Gjykatës Speciale kërkon t’ia ndalojë vizitat e vëllezërve dhe të bashkëpunëtorëve të Presidentit Thaçi. Një nga arsyetimet ishte: “Po ia mundësojnë Thaçit mbështetjen dhe përditësimin me situatën politike dhe ekonomike në Kosovë” Aha.! Pra, ideja e mbajtjes së tij në paraburgim qenka që ai të shkëputet tërësisht nga ngjarjet politike në Kosovë. Prokurori edhe vetë e pranon se krejt procesi gjyqësor kundër krerëve të UÇK-së është politik“- Artan Behrami, deputet i PDK-së.

Sipas avokatëve, kjo kërkesë e ZPS-së mbetet absurde dhe e pabazuar ligjërisht.

“Mundësia e ndikimit në prova, qoftë edhe në dëshmitar nuk ekziston thuajse fare për faktin se tashmë ka përfunduar së dëgjuari lista e dëshmitarëve të thirrur nga Prokurori i Dhomave të Specializuara dhe mbrojtjes së viktimave. Edhe rastit të dytë, siç kam thënë që mungojnë elementet esenciale që do ta përbënin figurën e veprës penale të përcaktuar me nenin 401 të kodit penal sepse element esencial i kësaj vepre, pengimin e personit zyrtar në detyrë zyrtare është dhuna ose kanosja serioze, një person i cili afro tash e 5 vite ndodhet në masë paraburgimi të ketë mundësi t’i ushtrojë këto aktivitete është e pamundur prandaj është e pabazuar”, ka thënë Ardian Bajraktari, avokat.

Mes të tjerash, Bajraktari thotë se kjo kërkesë e Prokurorisë, nuk ka bazë juridike të pranohet.