AGK-ja e mirëpret zgjidhjen e përkohshme financiare për RTK-në
Pasi Qeveria në detyrë ia dha RTK-së mbi 2.5 milionë hua, ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) përmes një postimi në rrjetin social Facebook e ka mirëpritur vendimin e sotëm të Qeverisë së Kosovës për të miratuar një kredi prej 2.5 milionë Eurosh për Radio Televizionin e Kosovës (RTK), raporton Zeri.info.
'AGK-ja ka qëndruar pranë gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të RTK-së që prej fillimit dhe i përgëzon ata për kryerjen e detyrave me gjithë presionin financiar', thuhet në njoftim.
Njoftimi i plotë :
AGK-ja e mirëpret zgjidhjen e përkohshme financiare për RTK-në
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e mirëpret vendimin e sotëm të Qeverisë së Kosovës për të miratuar një kredi prej 2.5 milionë Eurosh për Radio Televizionin e Kosovës (RTK).
Nëpërmjet këtij vendimi mundësohet funksionimi në së paku 3 muajt e ardhshëm për RTK-në, dhe ekzekutimi i pagave për 700 punonjësit e saj.
AGK-ja ka qëndruar pranë gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të RTK-së që prej fillimit dhe i përgëzon ata për kryerjen e detyrave me gjithë presionin financiar.
AGK-ja e fton Qeverinë në detyrë të Kosovës, dhe partinë politike që e udhëheq atë, Vetëvendosje që të ndalojë presionin e vazhdueshëm politik ndaj RTK-së, të ushtruar në forma të ndryshme.
AGK-ja bën thirrje që legjislatura e re të miratojë një Ligj të ri për Transmetuesin Publik, që do të garantonte funksionimin e pavarur e të papenguar të RTK-së, duke përfshirë edhe gjetjen e zgjidhjes për pronën.