Punëtorët e RTK-së ende pa paga të korrikut, gazetarja tregon si punoi edhe gjatë kimioterapisë

Kriza financiare dhe vonesat në pagesa po rëndojnë mbi punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës (RTK), të cilët ende nuk kanë marrë pagat e muajit korrik. Situata ka shkaktuar pakënaqësi dhe ndjenja padrejtësie mes stafit, i cili thotë se ka vazhduar punën me përkushtim të plotë, pavarësisht sfidave personale dhe profesionale.

Gazetarja e RTK-së, Zejnepe Qorraj, ka reaguar publikisht në rrjete sociale, duke i drejtuar një mesazh të hapur kryeministrit.

Në reagimin e saj, ajo tregon se për gjashtë muaj rresht i është nënshtruar trajtimit me kimioterapi, por nuk e ka ndërprerë punën asnjë moment – përveç ditëve të seancave mjekësore.

“Për 6 muaj trajtim me kimioterapi, punën nuk e kam ndërprerë për asnjë moment, pos në ditën e kimios. Po gjatë kësaj periudhe, ju nuk keni arritur të bëni asnjë nga punët me të cilat obligoheni, pasi keni fituar votën e qytetarëve! Nëse raporti mujor i punës më del me mbi 300 lajme të prodhuara në gjendjen që jam, ndërsa i juaji ka ngelur në vendnumëro, atëherë si ka mundësi që ju vazhdoni të paguheni për mospunë, ndërsa unë e kolegët e mi nuk paguhemi, edhe pse punojmë?!”, ka shkruar ajo.

Ky reagim ka gjetur mbështetje dhe solidaritet nga kolegë të tjerë dhe qytetarë, të cilët e shohin si shembull të një realiteti më të gjerë në vend – ku punëtorët shpesh përballen me vonesa pagash, ndërsa institucionet nuk japin përgjegjësi të qarta.

RTK-ja, si transmetuesi publik i vendit, financohet nga buxheti i shtetit dhe ka detyrim ligjor për të garantuar pagesën me kohë të punëtorëve të saj. Vonesat e pagave jo vetëm që dëmtojnë mirëqenien e punonjësve, por edhe besueshmërinë e institucionit te publiku.

Sindikata e Punëtorëve të RTK-së ka paralajmëruar protestë për të hënën, për shkak të kësaj gjendjeje. /Zëri