Zjarret apokaliptike, momentet e vështira për Shqipërinë
Shqipëria përjetoi orë tmerri gjatë ditëve të fundit, kjo për shkak të zjarreve apokaliptike që u përhapën furishëm.
Zjarrfikësit kanë qenë në krye të detyrës që në momentin e ndezjes së disa vatrave të zjarrit, e më pas u vendos evakuimi i menjëhershëm i banorëve në disa fshatra.
Në fotot e siguruara dhe publikuara nga Agjencia e Medias dhe Informacionit (MIA-Media and Information Agency) shihen disa nga momentet më të vështira që kanë kaluar zjarrfikësit, ushtria dhe banorët, të pafuqishëm përpara agresivitetit të flakëve.
Më tepër nga flakët u prek Gramshi, Delvina dhe Berati, aty ku banorët u detyruan të braktisin shtëpitë e tyre dhe mundin e një jete.
Dhjetëra shtëpi u dogjën së bashku me dhjetëra bagëti, pasi vatrat e zjarrit dolën jashtë kontrollit.
Më tepër shtëpi janë djegur në Skënderbegas të Gramshit, aty ku situata është përmirësuar për fat të mirë ndjeshëm.
Puna e pandërprerë në zonat me vatrat më të mëdha të zjarreve, nga ajri e toka, ka sjellë përmirësim të ndjeshëm të situatës, teksa dy ditët e kaluara ishin të vështira.