Përshkallëzohen protestat në Beograd
Në Serbi protestat po shndërrohen në përplasje të ashpra mes protestuesve antiqeveritarë dhe mbështetësve të presidentit serb. Mbrëmë në Novi Sad, përveç policisë, për herë të parë në përleshje është përfshirë edhe ushtria serbe. Zyrtarisht thuhet se janë plagosur mbi 80 protestues dhe 27 policë.
Dhjetëra të plagosur, dëmtime pronash dhe rritje e tensioneve mes pushtetit dhe protestuesve është epilogu i përleshjeve në disa qytete të Serbisë. Pas sulmeve të përkrahësve të partisë së Vuçiqit ndaj protestuesve, tubime u mbajtën në rreth 30 qytete.
Në Novi Sad pati përleshje të ashpra, ku u plagosën edhe pjesëtarë të Ushtrisë së Serbisë. Kjo është hera e parë që ushtria përfshihet në konflikte politike. Përleshje pati edhe në qytete të tjera, përfshirë Beogradin, ku policia përdori gaz lotsjellës për t`i ndaluar protestuesit që të afroheshin te selia e SNS-së. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, u plagosën 27 policë dhe të paktën 80 qytetarë, raporton rtk.
“Nuk do të ketë luftë civile. Ata tregojnë dëshpërim sepse janë pak, i ftoj të ulen dhe të bisedojnë. Nuk do të ketë mëshirë për banditët dhe huliganët”, ka thënë Aleksandër Vuçiq, presidenti i Serbisë.
Kurse, Ivica Daçiq, ministër i Punëve të Jashtme ka theksuar se dëshirojnë t’i shpëtojnë jetën e të gjithëve.
“Shumë prej këtyre oficerëve të policisë kanë lëndime të rënda fizike. Ajo që është e rëndësishme është që t'u bëjmë thirrje të gjithëve për paqe”, theksoi ai.
Lëvizja studentore akuzoi pushtetin për provokim të qëllimshëm të përleshjeve dhe mbrojtje të militantëve partiakë që sulmojnë qytetarët, ndërsa opozita e cilësoi dhunën si aksion të planifikuar për frikësimin e tyre.
“Gjatë pesë viteve të fundit ne kemi protestuar për arsye të ndryshme. Mesazhi për Vuçiqin është, nuk mund të sundosh me forcë. Kjo proteste është vetëm një pikë në oqeanin e atij rebelimi”, ka thënë Aleksandar Jovanoviq Quta, deputet i Kuvendit nga Kryengritja Ekologjike.
Sipas vlerësimeve, pas protestave disamujore përshkallëzimi i fundit mbart rrezikun që protestat të shndërrohen në një përplasje të hapur mes partisë që kontrollon shtetin dhe qytetarëve që kërkojnë ndryshim politik.