Shoqatat e bizneseve kundër ndërprerjes së energjisë: Apel për rishqyrtim të liberalizimit të tregut
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, Oda Ekonomike e Britanisë në Kosovë, Lidhja e Bizneseve të Kosovës dhe Oda e Hotelerisë dhe Turizmit e Kosovës shprehin shqetësimin e thellë për situatën e krijuar pas aktvendimit të nxjerrë nga Shkalla e Dytë e Gjykatës Komerciale.
Me këtë rast, këto mekanizma me anë të një njoftimi të lëshuar kërkojnë nga Zyra e Rregullatorit për Energji që të rishqyrtojë liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, dhe njëkohësisht të mos aplikojë ndërprerjen e furnizimit me energji të bizneseve, siç ka paralajmëruar se do të nisë nga data 16 gusht.
“Ndërprerja e furnizimit me energji do të sjellë pasoja të jashtëzakonshme, duke filluar nga ulja e numrit të të punësuarve, rritja e çmimeve, rritja e importit dhe rënia e eksportit. Ne jemi tashmë të informuar se disa biznese kanë ndërprerë punën, ndërsa të tjerat janë në proces të mbylljes së reparteve”.
“Gjithashtu, shumë biznese janë duke pësuar dëme për shkak të kontratave me partnerët ndërkombëtarë, të cilat janë nën kosto të prodhimit për shkak të rritjes së çmimit të energjisë”, thuhet në njoftim.
Komunikata, tutje shton se shoqatat e bizneseve po vazhdojnë konsultimet me bizneset për hapat e mëtejmë.
“E ritheksojmë edhe një herë se askush nuk është kundër liberalizimit të energjisë, por kundër formës së zgjedhur nga ZRRE, ku mbi të gjitha ka munguar informimi i mirëfilltë për këtë proces shumë të rëndësishëm”, thuhet nga shoqatat.
Gjithashtu, shoqatat në fund shtuan se çmimet e ofruara nga kompanitë e licencuara për furnizim me energji janë shumëfish më të larta se ato të rajonit.