Kim Kardashian rrëfen mes lotësh për Kanye West në trailer-in e një dokumentari të ri
Një dokumentar i ri, “In Whose Name?”, zbardh në mënyrë të ndjeshme ndikimin që pati ndryshimi i sjelljes së Kanye West mbi Kim Kardashian gjatë martesës së tyre.
Filmi, i realizuar nga regjisori Nico Ballesteros, i cili ka nisur të filmojë Kanyen gjashtë vite më parë, dokumenton mijëra orë materiale mbi përkeqësimin e dukshëm të gjendjes së tij mendore, krizën në martesë, reagimet ndaj kritikave publike dhe sjelljet gjithnjë e më të çrregullta.
Në një moment të fortë të fragmenteve të publikuara, Kanye dëgjohet duke thënë se ka pesë muaj që nuk merr më ilaçe për çrregullimin bipolar, ndërsa Kim, me zë të përlotur, i thotë: “Personaliteti yt nuk ka qenë i tillë disa vite më parë”.
Dokumentari gjithashtu prek periudha të vështira publike, si rasti kur në 2020 Kim reagoi pas komenteve antisemitike të Kanyes, duke kujtuar se ai vuan nga çrregullimi bipolar dhe se kjo është e dhimbshme për ta kuptuar.
Çifti, i martuar nga 2014 deri në 2022, ka katër fëmijë së bashku.
Pas ndarjes, Kanye është përfshirë në skandale të tjera, përfshirë deklarata tronditëse si “Jam nazist” dhe “E dua Hitlerin”, si dhe tentativa për të shitur bluza me simbolin e svastikës.
Trailer-i i dokumentarit sugjeron se do të zbulojë më shumë rreth gjendjes mendore të tij dhe shkaqeve që çuan në fundin e martesës me Kim, përfshirë edhe momente ku ajo përpiqet të flasë, por ndërpritet me tone agresive nga ai. /telegrafi