Ekonomistët thonë se rritja e çmimeve erdhi si pasojë e bllokadës institucionale

Derisa institucionet janë zhytur në bllokadë politike, qytetarët po sfidohen me vështirësi që cenojnë rëndë standardin e tyre jetësor, duke u përpjekur të sigurojnë të paktën artikujt elementarë, të cilët po shtrenjtohen për ditë e më shumë.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, indeksi i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 4,3% në muajin korrik të këtij viti, krahasuar me korrikun e vitit të kaluar, ndërsa krahasuar me qershorin e këtij viti, indeksi i çmimeve të konsumit në korrik është rritur mesatarisht prej 0,2%.

“Indeksi i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 4,3% në muajin korrik 2025, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë, siç janë kafja, çaji dhe kakao për 16,9%, energjia elektrike 16,6%, mishi për 12,7%, vajrat dhe yndyrat për 9,9%, qumështi, djathi dhe vezët për 6,5%, si dhe buka e drithërat për 5,0%”.

Qytetarët, të cilët, janë lodhur nga varfërimi i skajshëm, thonë se me të ardhurat e tyre nuk i përballojnë dot çmimet e gjërave elementare ushqimore.

Këtë situatë të rëndë e pohon edhe ekonomisti Mustafë Kadrijaj, i cili thotë se politika është fajtore për situatën e rëndë ekonomike tash e sa muaj në vend.

“… për fat jo të mirë s’kemi as qeveri të mandatuar. E kemi një gjendje shumë të palakmueshme, ka hapësirë të favorshme për bizneset…”.

Sipas Agjencisë të Statistikave të Kosovës, inflacioni në muajin korrik u rrit për 0,2%. Siç tregojnë të dhënat e ASK-së, rënie e çmimeve vërehet te biletat e fluturimeve për -10,3% si dhe karburantet për -6,2%. /RTV21