Çitaku: Kurti emëroi militantin partiak në një prej institucioneve më të rëndësishme në vend
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar se pas përmbylljes së procedurës së rekrutimit dhe në përputhje me kërkesat dhe kriteret ligjore, është përzgjedhur dhe emëruar drejtori i ri i Administratës Tatimore të Kosovës, Mentor Hyseni.
Hyseni në vitin 2019 kishte qenë kandidat i LVV-së për deputet, e kjo ka nxitur edhe reagime të ndryshme.
Vlora Çitaku, deputete e PDK-së, ka shkruar se kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka emëruar militantin partiak, në një prej institucioneve më të rëndësishme në vend.
“Albin Kurti e paska emëruar militantin partiak, ish-kandidatin për deputet Mentor Hyseni, drejtor të Administratës Tatimore të Kosovës, një prej institucioneve më të rëndësishme në vend. Ja pra, këta që nga opozita bënin betejë kundër nepotizmit e klientelizmit, dhe e kishin gojën plot meritokraci e parime, me të ardhur në pushtet u zhveshën nga çdo vlerë që predikonin”, ka shkruar Çitaku në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook.
Çitaku mes të tjerash ka shkruar se “ende besoj se e vetmja e mirë e qeverisë ‘Kurti 2’ është demistifikimi i Albin Kurtit”.
“Shokët e familjarët vetëm për dasma apo”.
Ndryshe, Ministria e Financave, më herët njoftoi se procesi është zhvilluar në mënyrë transparente dhe profesionale, duke u siguruar që kandidati i përzgjedhur të plotësojë të gjitha kushtet e nevojshme për këtë pozitë me rëndësi të lartë.