Ish-kandidati i LVV-së për deputet Mentor Hyseni emërohet në krye të ATK-së
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar se Mentor Hyseni është emëruar drejtor i ri i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).
Sipas njoftimit, procesi i përzgjedhjes është zhvilluar në “mënyrë transparente dhe profesionale, duke u siguruar që kandidati i përzgjedhur të plotësojë të gjitha kriteret ligjore” për këtë pozitë me rëndësi të lartë.
Ministria ka theksuar se ka besim të plotë se Hyseni do të vazhdojë dhe do të avancojë punën e deritanishme, në funksion të një administrate moderne, transparente dhe të drejtë.
Në vitin 2019, kryeministri në detyrë Albin Kurti kishte njoftuar se Hyseni u anëtarësua në Lëvizjen Vetëvendosje.
Lidhja e tij me LVV-në ngrit pyetje mbi pavarësinë politike të pozicionit të tij si drejtues i një institucioni kryesor fiskal në vend, duke marrë parasysh se ATK-ja ka një rol kyç në mbikëqyrjen dhe administrimin e të ardhurave publike që ndikojnë drejtpërdrejt në financimin e politikave qeveritare.
Hyseni ka një karrierë të gjatë në financat publike, ka punuar në pozita menaxheriale në institucione si Ministria e Drejtësisë dhe Korporata Energjetike e Kosovës, ndërsa ka qenë edhe ekspert i financave publike në Kuvendin e Kosovës.