BQK-ja parashikon rritje të inflacionit prej 3.3%
Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka parashikuar normë mesatare të inflacionit prej 3.3% për vitin 2025, kryesisht e nxitur nga konsumi privat dhe investimet.
Ndërkaq, ky institucion parashikon një rritje ekonomike prej 4.1%
Këto të dhëna janë publikuar në edicionin e 21-të të Raportit të Stabilitetit Financiar (RSF), i cili paraqet një vlerësim të detajuar dhe të bazuar mbi zhvillimet më të fundit në sistemin financiar të vendit, sfidat me të cilat përballet si dhe perspektivat për periudhën e ardhshme.
Sipas BQK-së, konfirmohet qëndrueshmëria dhe stabiliteti i sistemit financiar të Kosovës, mbikëqyrja prudente rregullative dhe praktikat efektive të menaxhimit të rrezikut.
Megjithatë, BQK thotë se këto arritje mbeten të ekspozuara ndaj pasigurive ekonomike globale, duke kërkuar një vëmendje të vazhdueshme.
“Ekonomia e Kosovës u rrit me 4.4% në vitin 2024, e mbështetur nga konsumi privat, investimet dhe eksportet. Norma vjetore e inflacionit zbriti në nivelin prej 1.6 %, kryesisht si rezultat i uljes së çmimeve të ushqimeve dhe mallrave të importuara. Për vitin 2025, BQK parashikon një rritje ekonomike prej 4.1% dhe një normë mesatare të inflacionit prej 3.3%, të nxitur kryesisht nga konsumi privat dhe investimet”, u tha në këtë raport.
BQK thotë se sektori fiskal shënoi performancë të qëndrueshme, me deficit minimal dhe ulje të raportit të borxhit publik ndaj BPV-së. “Megjithatë, thellimi i deficitit të llogarisë rrjedhëse, si dhe trendet e remitancave dhe të investimeve të huaja direkte mbeten sfida strukturore që kërkojnë vëmendje dhe monitorim të shtuar”, thuhet më tej në raport.
Ndërkaq, theksohet se sistemi financiar i Kosovës vazhdoi zgjerimin në vitin 2024, duke përforcuar rolin e tij në mbështetje të ekonomisë vendore.
“Sektori bankar shënoi rritje të shpejtë të kreditimit prej 18.3%, e nxitur nga kërkesa e lartë për financim nga ekonomitë familjare dhe bizneset, si dhe nga përmirësimi i kushteve kreditore”, tha BQK në raport.