Interi nuk heq dorë nga Lukmani, strategji të ndara dhe synim i përbashkët

Interi nuk e ka ndërmend të dorëzohet në garën për Ademola Lukman. Sulmuesi i Atalantës mbetet prioritet absolut për drejtuesit zikaltër, të cilët janë gati të shtyjnë ofertën deri pranë shifrës prej 50 milionë eurosh.

Për momentin, topi është në fushën e presidentit Antonio Perkasi, që duhet të vendosë nëse do ta lejojë ose jo largimin e një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës bergamaske.

Në këtë “poker” merkatoje, edhe vetë Lukman po luan kartat e tij. Sulmuesi ka refuzuar një propozim të rëndësishëm nga Arsenal, duke treguar qartë se dëshira e tij është të veshë fanellën e Interit. Ky qëndrim është një sinjal i fortë për Atalantën, por edhe një mjet presioni në negociata.

Interi dhe Lukman po ndjekin strategji të ndryshme, por me të njëjtin destinacion: kalimin në Milano. Zikaltrit po punojnë nga ana financiare dhe teknike për të strukturuar ofertën më të mirë, ndërsa lojtari po përdor vendosmërinë e tij si levë për të afruar marrëveshjen.

Drejtuesit e Interit e shohin nigerianin si lojtarin ideal për të rritur cilësinë dhe shpërthimin në repartin ofensiv. Aftësia e tij për të luajtur në disa role të avancuara, shpejtësia dhe goli i lehtë janë elemente që do t’i shtonin më shumë armë sulmuese ekipit të drejtuar nga rumuni Kristian Kivu.

Nga ana tjetër, Atalanta është e vetëdijshme për rëndësinë e Lukman-it në projektin e saj dhe nuk ka ndërmend ta shesë lehtë. Për momentin, oferta e Interit nuk ka mjaftuar për të tundur qëndrimin e Perkasit, por presioni mund të rritet me afrimin e Ferragostos.

Javët e ardhshme do të jenë vendimtare. Nëse negociatat ecin në drejtimin e duhur, mund të kemi një goditje të madhe merkatoje që do të ndryshonte ekuilibrat në garën për titull. Deri atëherë, Interi dhe Lukmani do të vazhdojnë të luajnë secili pjesën e vet në këtë duel të heshtur, por me objektivin e përbashkët për t’u ribashkuar në Milano.