Bajrami: LVV-ja i ka dy forma për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit
LDK-ja ka konfirmuar se do të marrin pjesë në seancën konstituive për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit posa ajo të thërritet nga kryesuesi i seancës.
Deputetja e këtij subjekti politik, Hykmete Bajrami, ka kërkuar të kthehet votimi i hapur, ashtu siç parashihet me Kushtetutë.
Deputetja Bajrami tha se LDK-ja nuk ka ndryshuar qëndrim se nuk do të votojë asnjë kandidat të LVV-së për kryetar të Kuvendit nëse nuk janë pjesë e një marrëveshjeje politike.
“Nuk kemi ndryshuar qëndrim. Ne konsiderojmë se janë dy forma për të konstituuar Kuvendin: Partia e cila ka dalë e para duhet ta bëjë shumicën përmes marrëveshjeve politike dhe ne kemi thënë se në qoftë se nuk jemi pjesë e kësaj marrëveshjeje politike, atëherë nuk do të votojmë. Ka edhe një formë tjetër, e cila bëhet përmes gjetjes së një kandidati konsensual. Ju e dini se partitë tjera politike të përfaqësuara në Kuvend kanë dhënë pothuajse dyzet opsione të tjera për LVV-në”, tha Bajrami. /tv21