Vrasja me thikë në Prizren, Prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarin
Prokuroria themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të pandehurit E.B., për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” .
Sipas kërkesës së Prokurorisë, më datë 10.08.2025, rreth orës 20:30, në lagjen “Tusuz” në rrugën “Lapidari” në Prizren, i pandehuri E.B., pas një mosmarrëveshjeje paraprake, në mënyrë dinake dhe duke shfrytëzuar besimin e viktimës, me dashje e privon nga jeta tani më të ndjerin H.Sh., në atë mënyrë që fillimisht i nxisin qentë e tyre në një përleshje dhe pas një fjalosjeje të shkurtër, i pandehuri papritmas dhe në mënyrë të befasishme e nxjerr thikën-patentë dhe e godet H.Sh., me ç’rast i njëjti dërgohet në QKUK në Prishtinë, ku vdes nga plagët e marra.
“Me këto veprime E.B. ka kryer veprën penale ‘Vrasja e rëndë’ sipas KPRK-së”, thotë Prokuroria.
Po ashtu, i njëjti ngarkohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas KPRK-së.
“Prokuroria Themelore në Prizren vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin”, thuhet në njoftim. /Zëri