Prokuroria Speciale për Mefail Shkodrën: Po hetohet edhe për dy raste, 1 herë u lirua me dorëzani
Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se po zhvillon hetimet në dy raste të ndara ndaj të dyshuarit për vrasjen e trefishtë në Gjilan, Mefail Shkodrën, i cili njëherë u lirua me dorëzani.
Në komunikatën që ka publikuar Nacionale, bëhet e të ditur se me datë 25 prill 2025, PSRK është njoftuar nga Policia e Kosovës për paraqitjen e një kallëximi penal nga ana e B.H. ndaj të dyshuarit M.Sh.
Tutje nga Prokuroria theksojnë se menjëherë pas pranimit të informatave, në po të njëjtën ditë kanë a filluar të ndërmerren veprimet hetimore dhe ka autorizuar hetuesit policorë për ndërmarrjen e masave dhe veprimeve të nevojshme ligjore.
“Në këtë rast, Prokuroria nuk ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, pasi në fazën fillestare të procedurës kanë qenë të nevojshme ndërmarrja e veprime të tjera hetimore me qëllim verifikimin e pretendimeve dhe sqarimin e plotë të rrethanave të rastit. Sipas ligjit, paraburgimi mund të kërkohet dhe të caktohet vetëm kur ekzistojnë prova të mjaftueshme dhe plotësohen kushtet ligjore të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale”, shkruhet në njoftimin e tyre.
Derisa, Prokuroria sqaron se në rastin e parë, i dyshuari M.SH dhe E.SH kanë qenë në paraburgim për katër muaj për disa vepra penale, përfshirë fajden dhe detyrimin.
“Pas propozimit të avokatëve mbrojtës për zëvendësimin e masës me dorëzani në Gjykatën Themleore në Prishtinë, e njëjta propozimin e tillë e ka përcjell për vlerësim në Prokurori. PSRK-ja pas analizimit të kërkesës, ka dhënë propozimin për ndryshimin e masës së sigurisë, dhe Gjykata ka vendosur zëvendësimin e masës, pasi është vlerësuar se nuk ekzistonin më kushtet ligjore për vazhdimin e paraburgimit”, njofton PK.
Njëkohësisht në kuadër të këtij hetimi, bëhet e ditur se ndaj këtyre të pandehurëve kjo Prokurori ka sekuestuar 9 prona të paluajtshme.
Ndryshe, i dyshuari kryesor për vrasjen e trefishtë që ndodhi dje në Gjilan, Mefail Shkodra, ishte liruar në tetorin e vitit të kaluar, pasi ishte dyshuar për veprën e fajdes.
Një sqarim për lirimin e tij e dha Gjykata Themelore e Prishtinës për Klankosova.tv. Në një përgjigje me shkrim nga kjo gjykatë thuhet se ai dhe biri i tij, Edonisi i cili po ashtu ishte arrestuar në këtë rast dhe po ashtu ishte i dyshuar për fajde, kishin ofruar një parcelë në të cilën kishte dy objekte të ndërtuara dhe që plotësonin dorëzaninë e kërkuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës në vlerë prej 70 mijë euro, 50 mijë për Mefailin dhe 20 mijë për Edonisin.