Vrasja e trefishtë në Gjilan, motivet ende të paqarta
Pasditën e së dielës, qyteti i Gjilanit u trondit nga një vrasje e trefishtë dhe plagosja e dy të tjerëve.
Të plagosurit janë duke u trajtuar në institucionet shëndetësore dhe njëri nga ta është në rrezik për jetë.
Në po të njëjtën ditë u identifikuan të dyshuarit që janë Mefail Shkodra dhe dy djemtë e tij, Edonis dhe Engjull Shkodra, të cilët janë shpallur në kërkim dhe ende nuk janë arrestuar.
Policia në Gjilan, në një konferencë të mbajtur tregoi se i dyshuari kryesor Mefail Shkodra është i njohur edhe për vepra të tjera, përfshirë fajde, kërcënim.
Në lidhje me rastin ditën e djeshme u arrestua një person, që u raportua se është i afërm i Shkodrës dhe i përfshirë në rast.
Por, cilat janë motivet e kësaj ngjarjeje?
Në media qarkulluan lajme se motivi kryesor ka të bëjë me fajde, mirëpo Prokuroria Themelore në Gjilan ka thënë për "Zërin" se nuk kanë një informatë të tillë dhe se motivet janë ende të paqarta.
“Lidhur me motivet e rastit, ju njoftojmë se për momentin rezervohemi në dhënien e informatave lidhur me rastin, pasiqë ende jemi në fazën fillestare dhe rasti është nën hetim e sipër”, thekson Prokuroria në një përgjigje për Zërin.
Kujtojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë e ka sqaruar rastin e Mefail Shkodrës dhe djalit të tij të arrestuar për fajde para një viti, për çka tha se ata u liruan pasi u dhanë para për dorëzani.
Në anën tjetër, ministri i Punëve të Brendshme në detyrë, Xhelal Sveçla të hënën njoftoi se ka urdhëruar Inspektoratin Policor të Kosovës të bëjë hetime për lëshimet që janë bërë ose përfshirjen e mundshme të zyrtarëve policor në rastin e Mefail Shkodrës. /Zëri