Autorët e vrasjes së një dite më parë në Tetovë, ende në arrati

Ende asnjë gjurmë nga kryerësit e vrasjes së një dite më parë në Tetovë, ku mbeti i vdekur një 46-vjeçar, ndërsa katër të tjerë mbetën të plagosur.

Ndonëse policia është vënë në kërkim të autorëve, nga Prokuroria për momentin nuk japin asnjë informacion lidhur me atë se ku mund të gjenden. Nga Prokuroria njoftojnë vetëm se po mbledhin provat e nevojshme.

“Prokurori Publik nga PTHP Tetovë ka kryer inspektim dhe ka dhënë të gjitha urdhrat e nevojshme dhe udhëzimet për mbledhjen e provave dhe inspektimin e plotë të rastit, duke përfshirë veprimet dhe motivet e të gjithë të përfshirëve. Në këtë fazë të procedurës nuk mund të ndajmë më shumë detaje”, thonë nga Prokuroria Publike.

Nga Klinika e Traumatologjisë njoftojnë se nga Tetova janë sjellë katër pacientë, ndërsa te tre prej tyre është kryer intervenim kirurgjik. Njëri prej të lënduarve që ishte në rrezik jete tani është në gjendje stabile dhe është transferuar në repartin e kirurgjisë torakale. Edhe i plagosuri tjetër gjithashtu është në gjendje stabile.

Sa i përket vajzës së mitur 13-vjeçare gjithashtu është operuar në kirurgjinë e fëmijëve dhe tani është në gjendje stabile. Me lëndime ka përfunduar edhe një kalimtar rasti, dhe tek ai gjithashtu është realizuar operacion dhe tani ndodhet në repartin e traumatologjisë.

Incidenti ndodhi dje në mesditë në kryqëzimin e rrugës “Ilinden” dhe “Bllagoja Toska”. Dëshmitarët thoshin se gjithçka ndodhi shumë shpejt dhe se makina nga ku u sulmua, u largua me shpejtësi. Jo zyrtarisht, bëhet fjalë për rast hasmërie mes familjeve rivale Terziu nga Tetova dhe një familje tjetër nga fshati Gajre. Deri më tani, si pasojë e përplasjeve të armatosura ka pasur disa viktima nga të dyja familjet. /Alsat