Qytetari nga Gjakova i gjen rreth 15 mijë euro dhe i dorëzon në Polici
Qytetari nga Gjakova, Binak Neziri, ka treguar një shembull të rrallë ndershmërie dhe përgjegjësie qytetare, pasi kishte gjetur një shumë të madhe parash, zgjodhi t’i dorëzojë ato në polici.
Neziri çantën me para e gjeti në rrugën “Tirana” të këtij qyteti.
Shuma e parave të cilat u gjetën brenda saj ishin rreth 15 mijë euro.
“Ky gjest tregon jo vetëm integritetin personal, por edhe besimin e tij ndaj institucioneve të rendit”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ai e ka dorëzuar çantën në Stacionin Policor të Gjakovës, ku pas procedurave të nevojshme, çanta dhe paratë janë kthyer te pronari legjitim.
“Policia shpreh mirënjohje për veprimin e z. Neziri dhe fton edhe qytetarët e tjerë që të ndjekin këtë shembull, duke kontribuuar në ndërtimin e një shoqërie të ndershme dhe të përgjegjshme”, njofton tutje Policia. /Zëri