Gjykata e Gjilanit thotë se Mefail Shkodra nuk ka asnjë lëndë aktive
Gjatë ditës së djeshme tre persona kanë mbetur të vrarë në qendër të Gjilanit dhe dy të tjerë janë plagosur, raporton Zeri.info.
Për këtë vrasje tashmë është arrestuar një i dyshuar, kurse Mefail Shkodra dhe dy djemtë e tij, Edonis e Engjull Shkodra, akoma janë në kërkim.
Gjatë ditës së djeshme u raportua se Mefail Shkodra, i dyshuari për vrasjen e trefishtë, kishte mbi 30 vepra penale në të kaluarën.
Rreth kësaj gjatë së hënës është sqaruar Gjykata Themelore në Gjilan, duke theksuar se ndaj të dyshuarit Mefail Shkodra nuk ka asnjë lëndë aktive në këtë gjykatë, raporton tutje Zeri.info.
“Ndërkohë, sa i përket dosjes së tij penale, ne bazë të evidencës ju njoftojmë se në Gjykatën Themelore në Gjilan personi Mefail Shkodra ka pasur 3 (tre) lëndë penale dhe të gjitha janë të përfunduara me aktgjykim dënues edh atë: Në vitin 2018 (PKR. nr. 198/2018) është akuzuar për veprën penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të armëve’, nga Neni 374, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës është gjykuar duke shpallur fajtor të njëjtin dhe është dënuar; Në vitin 2014 (P. nr. 610/2014) është akuzuar për veprën penale vjedhja e shërbimeve komunale nga Neni 320 të Kodit të ri Penal të Republikës së Kosovës, i cili për këtë rast është gjykuar dhe dënuar dhe në vitin 2011 (P. nr. 343/2011) është akuzuar për veprën penale ‘Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm’, Neni 356 i KPRK-së, ku edhe për këtë rast është gjykuar dhe shpallur fajtor nga kjo Gjykatë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Gjykata ka sqaruar se Edonis dhe Engjull Shkodra nuk figurojnë në regjistrin e evidencës penale për ndonjë vepër penale të gjykuar me vendim të plotfuqishëm apo ndonjë rast të papërfunduar.
Njoftimi i plotë, pa ndërhyrje:
Sqarim për opinionin publik
Gjilan, 11 gusht 2025 – në lidhje me rastin e vrasjes së djeshme të ndodhur në qendër të qytetit të Gjilanit, Gjykata Themelore në Gjilan njofton opinionin publik dhe mediat, se ndaj të personit të dyshuar Mefail (Fehmi) Shkodra nuk ka lëndë aktive në këtë Gjykatë.
Ndërkohë, sa i përket dosjes së tij penale, ne bazë të evidencës ju njoftojmë se në Gjykatën Themelore në Gjilan, personi Mefail Shkodra ka pasur 3 (tre) lëndë penale dhe të gjitha janë të përfunduara me aktgjykim dënues edh atë:
Në vitin 2018 (PKR. nr. 198/2018), është akuzuar për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të armëve nga neni 374 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës është gjykuar duke shpallur fajtor të njëjtin dhe është dënuar;
Në vitin 2014 (P. nr. 610/2014) është akuzuar për veprën penale vjedhja e shërbimeve komunale nga neni 320 të Kodit të ri Penal të Republikës së Kosovës, i cili për këtë rast është gjykuar dhe dënuar dhe
Në vitin 2011 (P. nr. 343/2011), është akuzuar për veprën penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm neni 356 i KPRK-së, ku edhe për këtë rast është gjykuar dhe shpall fajtor nga kjo Gjykatë.
Sa i përket, dy të dyshuarve të tjerë Edonis Shkodra dhe Engjull Shkodra nuk figurojnë në regjistrin e evidencës penale të Gjykatës për ndonjë vepër penale të gjykuar me vendim të plotfuqishëm apo ndonjë rast të papërfunduar. /Zëri