Rasti i keqtrajtimit në Klinë, aktakuzë ndaj tre ish-zyrtarëve policorë
Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Përgjithshme, ka ngritur aktakuzë ndaj ish-zyrtarëve policorë, N.G., Sh.S. dhe E.E., për veprat penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, “Lajmërim apo kallëzim i rremë” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.
Sipas aktakuzës, tre të pandehurit në cilësinë e zyrtarëve policorë, duke keqpërdorur autorizimet e tyre dhe vepruar në bashkëkryerje, me dashje keqtrajtojnë personin tjetër, duke e goditur disa herë me shuplaka në kokë dhe me grushte në pjesën e abdomenit, duke cenuar rëndë dinjitetin njerëzor të tij.
“Tre të pandehurit, N.G., Sh.S. dhe E.E. në cilësinë e zyrtarëve policorë nga Njësia reaguese e Stacionit Policor të Klinës, përkatësisht në shtëpinë e të dëmtuarit D.K., duke vepruar në bashkëkryerje dhe duke keqpërdorur autorizimet e tyre (në kundërshtim me Nenin 11 të Ligjit Nr. 04/L-076 për Policinë), me dashje keqtrajtojnë personin tjetër dhe atë të dëmtuarin, në atë mënyrë që, pasi të pandehurit i përgjigjen thirrjes së një ankese të qytetarit i cili ishte sulmuar nga i dëmtuari në këtë rast.
Të njëjtët e identifikojnë dhe shkojnë tek shtëpia e tij në vendin e lartë cekur, ku fillimisht e njoftojnë se duhej të shoqërohej në stacionin policor, e më pas duke tentuar ta prangosin, të pandehurit Sh.S dhe E.E. e mbajnë nga krahët të dëmtuarin D.K., ndërsa i pandehuri N.G. fillon ta godas të dëmtuarin me shuplaka disa herë në kokë e më pas edhe me grushte në pjesën e abdomenit, duke cenuar kështu rëndë dinjitetin njerëzor të tij. Me çka duke vepruar si bashkë kryes kanë kryer vepër penale ‘Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike’ nga KPRK-së”, thuhet në njoftim.
I pandehuri N.G. akuzohet edhe për lëndim të lehtë trupor, pasi i shkakton lëndime të lehta personit tjetër dhe atë të dëmtuarit D.K., të konstatuara në akt-ekspertimin mjekoligjor.
Gjithashtu, Prokuroria thotë se të pandehurit merren vesh për të bërë lajmërim të rrejshëm, duke pretenduar se i dëmtuari kishte kryer sulm ndaj personit zyrtar.
Prokurori i shtetit ka kërkuar gjithashtu ndalimin e ushtrimit të funksioneve në vende publike ose shërbime publike për të pandehurit, si dënim plotësues.