Pamjet nga droni “Bajraktar” zbulojnë zjarrvënie të qëllimshme, Rama: Tradhti ndaj tokës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ashpër lidhur me zjarrvëniet e qëllimshme të evidentuara sot nga dronët e Forcës Ajrore.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama theksoi se ndezja e zjarrit me qëllim nuk është vetëm krim, por edhe tradhti ndaj tokës dhe të ardhmes së brezave të ardhshëm.

“Të ndezësh një zjarr me qëllim, nuk është vetëm krim, por është tradhti ndaj tokës sonë dhe të ardhmes së fëmijëve tanë”, shkroi Rama.

Ai publikoi edhe pamjet e dronit Bajraktar, ku duket momenti i zjarrvënies së dyshuar si e qëllimshme.

Policia e Shtetit është në terren dhe po punon për të ndjekur penalisht përgjegjësit.

“Këto janë pamjet e dronit Bajraktar ku dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme. Policia është në terren për të çuar përpara drejtësisë këdo që luan me flakët mbi pasurinë e përbashkët”, u shpreh Rama.

Kryeministri gjithashtu propozoi që në Kushtetutë dhe Kodin Penal zjarrvënia e qëllimshme të trajtohet me po atë rëndësi si vrasja, duke e quajtur një akt të papranueshëm sidomos në kohën e sfidave globale me ngrohjen e klimës dhe zjarret masive që po prekin rajonin e Mesdheut.