U raportua për një incident afër Leposaviqit, deklarohet Veton Elshani
Policia e Kosovës njofton se dje pak para orës 15:00 në fshatin Vuçë, komuna Leposaviq, derisa Policia Kufitare ishte në patrullim ka ndaluar një veturë golf, e cila lëvizte në drejtim të tyre dhe e cila ishte pa targa.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun, Veton Elshani, ka thënë për RTKlive se pas ndalimit të veturës, kërkimit të dokumenteve dhe kërkesës së policëve që dy personat të dalin nga vetura, njëri nga ta duke e shfrytëzuar terrenin ka ikur.
“Policia është vënë në ndjekje dhe pas një kohe ai ka ndaluar, ka nxjerrë diçka nga brezi dhe ua ka drejtuar policëve. Njëri polic ka shkrepur një të shtënë nga arma e tij, ndërsa personi ka ikur. Më vonë i njëjti është paraqitur në Polici së bashku me avokatin e tij dhe që të dy personat janë të palënduar. Hetimet janë duke u zhvilluar nga IPK-ja me autorizim të prokurorit të Shtetit. Në fund personi është liruar, ndërsa i është shqiptuar tiketë për mosposedim të patentës së shoferit dhe mospërfillje e urdhrave të ligjshëm”, tha ai.