Vrasjet në Gjilan e Prizren, Haradinaj: Pastrojeni uniformën e Policisë nga fajdexhinjtë

Deputeti nga radhët e AAK-së, Daut Haradinaj, ka reaguar për ngjarjen e rëndë të vrasjes së trefishtë që ndodhi dje në qendër të Gjilanit dhe vrasjen tjetër me thikë në Prizren.

“Vetëm brenda një dite, në vendin tonë ndodhën katër vrasje mizore. Tre persona u ekzekutuan në mënyrë makabre në Gjilan nga individë që ishin të njohur për vepra të ndryshme penale, ndërsa një i ri u ther me thikë për vdekje në Prizren”, tha Haradinaj, përmes një postimi në Facebook.

Ai theksoi se kjo datë duhet të shërbejë si një alarm për shoqërinë dhe institucionet që të marrin masa të rrepta ligjore, jo vetëm për ndëshkimin, por edhe për parandalimin e këtyre krimeve.

“Veproni sot, për të mos vajtuar nesër! Pastrojeni uniformën e Policisë nga fajdexhinjtë. Nuk ka komunë pa dukuri të tilla, dhe shumica prej tyre janë të njohura edhe për publikun”, shkroi tutje ai.