Memli Krasniqi zyrtarizon kandidatin e PDK-së për Podujevën
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka zyrtarizuar kandidatin e kësaj partie që do të garojë për Podujevën në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Krasniqi përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka shkruar se Isak Shabani do të jetë kandidati I PDK-së për të parin e Podujevës.
“Kjo është oferta jonë – dhe kjo është ajo që i duhet Podujevës.Podujeva ka nevojë për një udhëheqje që e njeh qytetin në çdo cep, i njeh njerëzit dhe hallet e tyre. Një udhëheqje që di të bashkojë, të planifikojë dhe të punojë me vizion afatgjatë”.
“Isak Shabani është njeriu që i plotëson këto nevoja. Me përvojë si ish-deputet, tre mandate asamblist dhe zyrtar i lartë në administratën shtetërore, ai ka njohuri të thella për funksionimin e institucioneve dhe menaxhimin e komunës”.
“Me përkushtim të dëshmuar atdhetar, si bashkëluftëtar i komandantit Zahir Pajaziti, ai e di çfarë do të thotë të shërbesh për interesin e përbashkët – për një thirrje më të madhe se vetja.
Jam i bindur se me Isakun në krye, Podujeva do të ketë udhëheqjen e përgjegjshme, të ndershme dhe të përkushtuar që e meriton”, shkruan Krasniqi.