Miratohet plani i Netanyahut – Izraeli po shkon drejt pushtimit të plotë të Gazës
Kabineti i sigurisë i Izraelit ka miratuar planin e kryeministrit, Benjamin Netanyahu për të marrë kontrollin ushtarak mbi qytetin e Gazës, një hap që shënon një përshkallëzim të ri dhe të madh në luftë.
Vendimi u mor pas një takimi që zgjati gjatë gjithë natës, dhe me të konfirmohet se për t’i dhënë fund konfliktit është e nevojshme “marrja e plotë e kontrollit të sigurisë mbi Rripin e Gazës”, raporton Sky News.
Para këtij takimi, Netanyahu në një intervistë për Fox News konfirmoi synimet e Izraelit.
I pyetur nëse Izraeli do të “marrë kontrollin mbi të gjithë Gazën”, ai u përgjigj “që ta sigurojmë sigurinë tonë, synojmë të eliminojmë Hamasin atje dhe të çlirojmë popullsinë e Gazës”.
Ai shtoi se Izraeli nuk dëshiron të mbajë territorin, por të krijojë një “brez sigurie” dhe t’ia dorëzojë qeverisjen “forcave arabe që do të qeverisin siç duhet”.
Pas takimit, zyra e kryeministrit izraelit njoftoi se Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) do të përgatiten për të marrë kontrollin e qytetit të Gazës, ndërsa njëkohësisht do të shpërndajnë ndihmë humanitare për civilët jashtë zonave të luftimeve.
Kabineti i sigurisë miratoi gjithashtu pesë parime për përfundimin e luftës: çarmatosjen e Hamasit, kthimin e të gjithë pengjeve, demilitarizimin e Gazës, kontrollin e sigurisë nga Izraeli mbi Rripin e Gazës, si dhe krijimin e një administrate civile alternative që nuk do të jetë as Hamasi dhe as Autoriteti Palestinez.
Sipas raportimeve të mediave izraelite, shefi i shtabit të ushtrisë izraelite, Eyal Zamir, ishte kundër pushtimit të Gazës, duke deklaruar se kjo do të rrezikonte pengjet dhe do ta rëndonte edhe më shumë ushtrinë.
Ndryshe, konflikti i fundit nisi me sulmin e Hamasit më 7 tetor 2023, në të cilin u vranë rreth 1200 njerëz dhe u rrëmbyen 251 të tjerë. Mendohet se Hamasi ende mban rreth 50 pengje.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila kontrollohet nga Hamasi, në ofensivën hakmarrëse të Izraelit janë vrarë mbi 61 mijë palestinezë.