Rama ndan foto nga protesta kundër Speciales në Prishtinë: Liria ka emër dhe nuk është fajtore
Në Prishtinë u mbajt një protestë kundër Gjykatës Speciale të Kosovës, e organizuar me moton “kundër padrejtësisë” ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Rama përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka ndarë një foto nga protesta ku shihen flamuj të Shqipërisë, UÇK-së dhe Kosovës. Ai ka shprehur shqetësimin e tij për mungesën e një rezolute nga Kuvendi i Kosovës që do të ngrinte zërin kundër shkeljeve të tribunalit të Hagës ndaj të drejtave të Hashim Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.
“Vazhdoj pyes veten pse Kuvendi i Kosovës nuk e ka ngritur ende zërin përmes një rezolute pa dallime partish, në të cilën të rreshtohen sa e sa shkeljet faktike të normës elementare demokratike të procesit të rregullt ligjor nga ana e Tribunalit të Hagës, ku të drejtat e Hashim Thaçit e shokëve të tij të izoluar nga bota prej vitesh të tëra tanimë, janë shqelmuar si hiçasgjë?!
Natyrisht që në rast se Kuvendi i Kosovës do ta bënte këtë rezolutë të vonuar, ne do ta angazhonim menjëherë Kuvendin e Shqipërisë, për ta votuar të njëjtin tekst dhe për ta përcjellë zërin e krejt shqiptarëve në çdo shtet demokratik që e sponsorizon Tribunalin, e që nuk duhet të tolerojë asnjë cënim e jo më asgjësimin e procesit të rregullt ligjor me kontributin financiar të taksapaguesve të vet
Po, Liria ka emër dhe nuk është fajtore”, shkruan Rama.