Netanyahu: Izraeli synon të marrë kontrollin e plotë të Gazës
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se Izraeli ka për qëllim të marrë nën kontroll të plotë Rripin e Gazës. Në një intervistë për Fox News, ai theksoi se megjithëse Izraeli nuk dëshiron të “mbajë” Gazën, synon të krijojë një “perimetër sigurie”.
“Nuk duam ta qeverisim,” tha Netanyahu. “Nuk duam të jemi atje si një trup qeverisës. Duam ta dorëzojmë atë tek forcat arabe që do ta qeverisin siç duhet, pa kërcënuar Izraelin dhe duke i ofruar gazianëve një jetë të mirë – diçka që nuk është e mundur me Hamasin.”
Deklaratat e tij vijnë në kohën kur kabineti i sigurisë së Izraelit po mblidhet për të vendosur nëse do të miratojë planin e Netanyahu-t për okupimin e plotë të Gazës – një hap që pritet të sjellë pasoja të mëdha në rajon dhe në skenën ndërkombëtare. / abcnews