Zvicra në krizë tregtare me SHBA-në pas tarifës 39% të Trump, vazhdojnë bisedimet
Presidentja zvicerane Karin Keller-Sutter ka njoftuar se Zvicra do të vazhdojë bisedimet me Shtetet e Bashkuara, pasi presidenti amerikan Donald Trump vendosi tarifa të rënda mbi mallrat zvicerane, të cilat rrezikojnë të godasin rëndë ekonominë e vendit të vogël alpin që mbështetet fuqimisht në eksport, raporton agjencia Reuters.
Tarifa e importit prej 39% – nga më të lartat e vendosura nga administrata Trump në kuadër të ristrukturimit të tregtisë globale – hyri në fuqi në mesnatë sipas orës së Uashingtonit, pasi përpjekjet e minutës së fundit nga zyrtarët zviceranë për të arritur një marrëveshje më të favorshme dështuan.
Sipas Reuters, këto tarifa pritet të godasin rëndë qasjen e Zvicrës në tregun amerikan, një ndër më të rëndësishmit për eksportues si Sëatch, Rolex dhe Patek Philippe, si dhe për djathërat dhe çokollatat e nivelit të lartë.
“Për sektorët e prekur, kompanitë dhe punonjësit e tyre, kjo është një situatë jashtëzakonisht e vështirë,” ka thënë presidentja Karin Keller-Sutter pas një takimi urgjent të Këshillit Federal, kabineti qeverisës me shtatë anëtarë i Zvicrës.
Kujtojmë se, Keller-Sutter u largua nga Uashingtoni të mërkurën pa një marrëveshje, pas një vizite të organizuar me ngut ku sipas burimeve nuk është takuar as me Trump dhe as me ndonjë nga përfaqësuesit kryesorë të tij për tregtinë.
Presidentja ka theksuar se Zvicra dëshiron “një marrëdhënie të bazuar në rregulla me Shtetet e Bashkuara… por jo me çdo çmim.”