Arratiset një i burgosur në Mitrovicë, pezullohen katër zyrtarë
Një i burgosur është arratisur nga Qendra e Paraburgimit në Mitrovicë, duke detyruar Shërbimin Korrektues të Kosovës (ShKK) të ndërmarrë masa të menjëhershme disiplinore ndaj stafit të institucionit.
Si pasojë e kësaj ngjarjeje, janë pezulluar nga detyra katër zyrtarë korrektues, përfshirë edhe drejtorin e institucionit, një mbikëqyrës të lartë dhe dy zyrtarë të tjerë korrektues.
Sipas SHKK-së, i burgosuri në fjalë ishte i dënuar me 14 vjet e 6 muaj burgim, ndërsa në momentin e arratisjes i kishin mbetur edhe 3 vjet e 7 muaj për të vuajtur.
“Ai ishte i kategorizuar si i avancuar dhe, në momentin e arratisjes, ndodhej duke punuar në hapësirat e punëtorisë së institucionit. Gjithashtu, ishte në listën e të dënuarve që mund të përfitonin lirimin me kusht”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.
Menjëherë pas konstatimit të mungesës së tij, janë vënë në lëvizje të gjitha procedurat e brendshme operacionale dhe janë njoftuar institucionet relevante të sigurisë për të ndihmuar në lokalizimin dhe kapjen e të arratisurit.
SHKK ka nisur gjithashtu hetimet e brendshme për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, duke theksuar se do të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme në përputhje me legjislacionin në fuqi.
“Deri në përfundimin e hetimeve, drejtori i institucionit, mbikëqyrësi i lartë dhe dy zyrtarët korrektues mbeten të pezulluar nga detyra”, thuhet në njoftim.