Kurti e Prattipati flasin për bashkëpunimin Kosovë-SHBA

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në një takim të veçantë të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë,  Anu Prattipati, e shoqëruar nga Drejtoresha e misionit të USAID-it në Kosovë, Eileen Devitt.

Gjatë takimit u diskutuan zhvillimet e fundit në vend, situata aktuale politike dhe çështje të tjera të rëndësishme të bashkëpunimit dypalësh ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Takimi shënoi gjithashtu edhe një moment lamtumire për znj. Devitt, e cila po përmbyll mandatin e saj në krye të USAID-it në Kosovë. Kryeministri Kurti e falënderoi atë për përkushtimin dhe kontributin e çmuar në zhvillimin e shoqërisë dhe forcimin e institucioneve të shtetit të Kosovës, duke i uruar suksese dhe shëndet në detyrat e ardhshme profesionale.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten partner strategjik dhe mbështetës i fuqishëm i Kosovës në rrugëtimin e saj demokratik dhe zhvillimor.