Robert De Niro fotografohet duke ecur, shumë veta vënë re se duket më i dobët fizikisht

Robert De Niro, legjenda e kinemasë holivudiane, është fotografuar këtë javë në rrugët e New Yorkut, dhe paraqitja e tij e fundit ka tërhequr sërish vëmendjen e publikut. Shumë e kanë vënë re se aktori duket më i dobët dhe fizikisht më i brishtë se zakonisht.

Ai është parë duke ecur nëpër Manhattan, i veshur thjesht dhe rehatshëm – me një bluzë të bardhë, një xhup sportiv gri, pantallona të stilit cargo dhe syzet e tij karakteristike që tashmë janë bërë pjesë e imazhit të tij.

Kohët e fundit, De Niro ka hapur një studio filmike gjigante me sipërfaqe prej 72.000 metrash katrorë në Queens, së bashku me djalin e tij Raphael dhe partnerin e tij në biznes, Adam Gordon. Ky projekt, me vlerë prej miliona dollarësh, ka për qëllim të gjallërojë industrinë filmike në qytetin e tij të lindjes – New York.

“Gjithmonë më ka pëlqyer të xhiroj në New York. Nuk ka vend më të mirë se ky”, u shpreh De Niro për New York Times.

Pas disa vitesh në të cilat numri i produksioneve në qytet ra për shkak të zhvendosjes së xhirimeve jashtë shtetit, shkurtimeve në buxhete dhe grevave të industrisë, aktori shpreson që studioja e re do të tërheqë projekte të mëdha në qytet. Ky rikthim pritet të mbështetet edhe nga subvencionet e reja, pasi shteti i New Yorkut ka miratuar 800 milionë dollarë ndihma për industrinë filmike.

“Gjithmonë është më mirë të xhirosh në New York. Pikë,” shtoi aktori me bindje.

Përveç arritjeve në karrierë, De Niro vazhdon të jetë aktiv edhe në jetën familjare. Me partneren e tij, Tiffany Chen (45), ai është bërë baba për herë të shtatë – vajza e tyre, Gia, tani është dy vjeç.

“Ajo është gëzim i pastër,” tha De Niro për vajzën e vogël. “Tani është dy vjeçe dhe teksa rritet… gjithçka është e mrekullueshme. Çfarë të them – thjesht gëzim i pastër”.

Në një intervistë për Entertainment Tonight, ai theksoi se gjëja më e rëndësishme në prindërim është mbështetja: “E rëndësishme është të jesh pranë fëmijëve të tu. Nëse nuk po dëmtojnë veten apo nuk bëjnë gjëra destruktive, duhet t’i mbështesësh. Gjithmonë. Dhe ata duhet ta ndiejnë këtë”.

Ai pranoi me humor se nuk ndryshon pelenat, por kalon mëngjeset me vogëlushen duke parë programe për fëmijë.

Përveç Gias së vogël, De Niro ka edhe gjashtë fëmijë të tjerë. Vajza e tij më e madhe, Drena, është 57 vjeçe, dhe vëllai i saj Raphael është 48 – të dy nga martesa e aktorit me Diahnne Abbott. Me ish-të dashurën Toukie Smith, De Niro ka binjakët Julian dhe Aaron (29 vjeç), ndërsa me ish-bashkëshorten Grace Hightower ka djalin Elliot (27) dhe vajzën Helen (14).

Në një intervistë për The Guardian, De Niro u tregua i sinqertë për sfidat e të qenit prind në moshë të thyer: “Prindërimi nuk bëhet më i lehtë. Është ashtu siç është. Unë nuk bëj pjesën ‘më të vështirë’, por mbështes partneren. Kemi ndihmë, dhe kjo është shumë e rëndësishme”.

I ftuar në Today Show, ai shtoi se të qenit prind në këtë moshë i ka sjellë një perspektivë tjetër për jetën: “Me kalimin e viteve bëhesh më i vetëdijshëm për gjërat. Për marrëdhëniet familjare, për dinamikën. Mëson të përballesh me situata që ndoshta më parë nuk do t’i kishe ditur si t’i trajtoje”.

Robert De Niro, edhe pse në moshë të thyer, mbetet një figurë aktive dhe e përkushtuar – si në skenën artistike, ashtu edhe në jetën personale.