Tërheqja e kërkesës nga presidentja ngjall reagime të shumta

Tërheqja e kërkesës në Gjykatën Kushtetuese nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, me arsyetimin se gjyqtari raportues Radomir Laban, ka cenuar rendin kushtetues, ka ngjallur reagime të shumta.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se është absurde që dikush që është i rrezikshëm për sigurinë e vendit të caktohet raportues në një rast kaq të rëndësishëm.

“Është absurde që dikush i cili sipas informacioneve që i kemi nga institucionet e sigurisë është i papërshtatshëm, me rrezik për rendin tonë kushtetues, tash të gjykojmë mbi një çështje kushtetuese”, tha Kurti.

Nga Gjykata Kushtetuese përmes një njoftimi kanë thënë se ndarja e lëndëve për shqyrtim tek gjyqtarët raportues dhe kolegjet shqyrtuese në Gjykatën Kushtetuese bëhet në bazë të rregullave të qarta procedurale, të cilat kjo Gjykatë i respekton me përpikëri.

 “Gjykata Kushtetuese, si organ kolegjial, vendimet e saj i merr në përbërje të plotë. Në këtë kontekst, është e drejtë e palëve para Gjykatës që të kërkojnë tërheqjen e kërkesave të parashtruara, të cilat Gjykata Kushtetuese i trajton bazuar në Kushtetutë, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e saj të punës", thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Ndërkaq, lidhur me çështjet e ngritura përkitazi me Gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese Radomir Laban, në sqarimin e Kushtetueses thuhet se Laban këtë pozitë e ushtron prej shtatë vitesh dhe se procedurat për shkarkimin e gjyqtarëve janë të përcaktuara qartë në Kushtetutë.

Ndërkohë Kushtetuesen, e ka vizituar sot, e ngarkuara me detyrë në ambasadën e ShBA-së në Prishtinë, Anu Pratipati. Në përgjigjen e ambasadës për RTK-në nuk dhanë detaje nëse vizita e Pratipatit lidhet me çështjen Laban.