Hasen mjete shpërthyese pa leje në një biznes gurthyes

Inspektorati i komisionit për miniera dhe minerale ka hasur në përdorimin e mjeteve eksplozive nga një biznes gurthyes në komunën e Suharekës. Në vendngjarje ka dalë edhe policia e cila po merret me rastin.

Inspektorë të komisionit të pavarur për miniera e minerale, gjatë inspektimit të një biznesi privat në terrenin e Suharekës, kanë hasur në përdorimin e pakontrolluar të eksplozivëve nga një operator ekonomik.

" Kemi konstatua në lokacionin Studençan, ndërmarrja Voci 1, ka kryer minim masiv ilegal, kemi gjetur mjete incizuese, dhe eksplozivi që është përdorë, që supozohet të jetë amonit", tha Naim Sejdiu, Inspektor i lartë për eksplozive.

 Sipas inspektorit Naim Sejdiu, kompania në fjalë nuk posedonte leje operimi që nga marsi i vitit 2024.

" Nga marsi i vitit 2024 nuk posedon licencë të shfrytëzimit, kështu që kur nuk posedon licencë të shfrytëzimit, nuk mund të zhvillojë aktivitet për përdorim të lëndëve eksplozive, proceduarat janë të veçanta si jepet një leje për minim masiv, për arsye se duhet të sigurohet hapësira ajrore, duhet të sigurohet transporti dhe inspektimi nga inspektorët e minierave"’, tha Sejdiu.

Me të marrë informacionin, në terren ka dalë edhe policia dhe po merret me rastin.

“Është siguruar vendi me qëllim që të largohet rreziku dhe njëkohësisht kemi njoftuar njësinë për deaktivizimin e eksplozivëve . Gjithashtu Policia në konsultim me Prokurorin do të vazhdojnë të trajtojnë rastin”, tha Shaqir Bytyqi, zëdhënës i Policisë  për rajonin e Prizrenit.

RTK disa herë është munduar të kontaktojë me operatorin ekonomik, por ai nuk ka qenë i qasshëm. Sipas Sejdiut, ky nuk është rasti i parë i këtij lloji, ndërsa organet kompetente duhet t’i qojnë deri në fund procedurat për ndalimin e përdorimit të pakontrolluar të eksplozivëve nga operatorët ekonomikë.