AGK: Sjellje e papranueshme e kryeministrit në detyrë Kurtit ndaj gazetares Arbëreshë Uka
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dënon ashpër sjelljen dhe qasjen e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ndaj gazetares së televizionit, Klan Kosova, Arbëreshë Uka, gjatë një deklarimi publik.
Gazetarja Uka e ka pyetur Kurtin për mungesën e barnave në QKUK, teksa ai i është përgjigjur me ton arrogant, duke i thënë “lej ti albuminat. Thuj pronarit tuaj, televizionit tuaj le t’ia kthejnë 62 milionë Telekomit”.
Kjo është një qasje e papranueshme e Kurtit ndaj medieve dhe gazetarëve dhe përpjekje e hapur për të minuar punën e tyre dhe për të fshehur mungesën e transparencës së Qeverisë që ai ka udhëhequr në këto vitet e fundit.
Sulme si këto të Kurtit, Qeverisë dhe partisë së tij, kanë kontribuar në masë të madhe që Kosova të bjerë drastikisht në Indeksin e Lirisë së Medieve.