Dyshohen se detyruan të shesë pronën e gjysmë milioni € për 250 mijë euro, Prokuroria kërkon paraburgim për Nexhmi Krasniqin dhe të tjerët
Prokuroria Themelore në Prizren ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj katër të arrestuarve nën dyshimin për detyrim, armëmbajtje pa leje e ikje të tatimit.
Në mesin e të arrestuarve është edhe ish-drejtori i Policisë në Prizren, Nexhmi Krasniqi, aktualisht zyrtar policor. Aksioni ishte zhvilluar nga Prokuroria bashkë me IPK-në, derisa një ditë më vonë Xhelal Sveçla ka kërkuar largimin nga Policia të gjithë atyre që njollosin uniformën policore.
Sipas dosjes së Prokurorisë, që ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, Liman Sallauka, Xhevat Sallauka, Nexhmi Krasniqi dhe Ramadan Paçarizi, dyshohen se si pjesë e grupit kishin përdorur kanosjen, duke detyruar të dëmtuarin E.M, të veprojë në dëm të pasurisë së tij.
Sipas dyshimeve të Prokurorisë, i dëmtuari ishin detyruar të tërhiqet nga prona për të cilën kishte autorizim në dobi të Ramadan Paçarizit, i cili pastaj e kishte blerë pronën për 250 mijë euro nën çmimin e tregut pasi e njëjta pronë kishte vlerë deri në gjysmë milioni euro.
Sipas dosjes së Prokurorisë, gjatë muajve nëntor–dhjetor të vitit 2024 në Prizren, Liman Sallauka, Xhevat Sallauka, Nexhmi Krasniqi dhe Ramadan Paçarizi, dyshohen se kanë vepruar si grup i organizuar për të përfituar në mënyrë të kundërligjshme dobi pasurore për vete, përmes kërcënimeve serioze dhe presionit ndaj një personi tjetër.
Sipas dokumentit të siguruar, të pandehurit kanë ushtruar kanosje serioze ndaj të dëmtuarit E.M. me qëllim që ai të veprojë në dëm të pasurisë së tij. E.M ka qenë bashkëpronar i një ngastre kadastrale nr. 749 në zonën kadastrale Lubizhdë dhe kishte autorizim gjeneral për të shitur parcelën në fjalë nga personat “Svetozar Nekiq, Stanimir Nekiq dhe Zvonomir Nekiq”.
Duke qenë në këtë pozitë, i pandehuri Liman Sallauka, sipas Prokurorisë, kishte filluar kontakte të vazhdueshme me të dëmtuarin. Më pas, në proces hyn edhe vëllai i tij, Xhevat Sallauka, i cili kërkon vazhdimisht takim me të dëmtuarin lidhur me ngastrën. Takimi ndodh në një pompë derivatesh në rrugën “Transiti i Ri” në Prizren, ku marrin pjesë Liman Sallauka, Xhevat Sallauka, Nexhmi Krasniqi, dëshmitari E.E. dhe i dëmtuari E.M.
Gjatë këtij takimi, sipas Prokurorisë, të pandehurit i bëjnë presion të dëmtuarit që të heqë dorë nga pjesa e tij në ngastrën nr. 749 në dobi të Ramadan Paçarizit. Përballë frikës dhe presionit, dhe me miratimin e dëshmitarit E.E. – i cili gjithashtu kishte pronësi në parcelë – i dëmtuari tërhiqet nga prona. Më pas, Ramadan Paçarizi blen parcelën duke paguar një shumë që përshkruhet si “lënien çmimin e tregut për 250,000 euro”, edhe pse prona në realitet kishte vlerë më të madhe.
Sipas Prokurorisë, pasi i dëmtuari e shet pronën nën çmimin e tregut, 10 mijë euro ia jep Nexhmi Krasniqit dhe 20 mijë ia jep Liman Sallaukës.
“E për këtë i dëmtuari së bashku me të pandehurin Liman Sallauka shkojnë në shtëpinë e të pandehurit Nexhmi Krasniqi, ku i dëmtuari hynë në shtëpi dhe nga të hollat e marra prej Ramadan Paçarizit ia jep të pandehurit Nexhmi shumën prej 10.000 euro të vendosura në zarf dhe me të dalë nga aty, 20.000 euro tjera ia jep Liman Sallaukës, në emër të tij dhe për vëllain e tij Xhevat Sallauka”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të arrestuarve.
Për këto veprime, ata dyshohen për veprën penale të detyrimit nga Neni 328, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.
Ramadan Paçarizi po dyshohet edhe për shmangie nga tatimi pasi nuk ka treguar vlerën reale të palujtshmërisë dhe 130 mijë euro ia ka dhënë para kesh blerësit.
Ndërkohë, Liman Sallauka dyshohet edhe për armëmbajtje pa leje pasi në shtëpinë e tij ishin gjetur armë përfshirë edhe një pushkë ajrore e municion.
Edhe në shtëpinë e zyrtarit të Policisë, Nexhmi Krasniqi ishin gjetur 63 fishekë.
Edhe Paçarizit i është gjetur një pushkë ajrore në shtëpi pa leje.
Prokurori Labinot Jetishi në kërkesën për paraburgim ka shkruar se caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale.
Sipas kërkesës, ekziston rreziku që të bëhet presion mbi dëshmitarë, të prishen provat dhe se ekziston rreziku i përsëritjes së veprave penale nga të dyshuarit.
Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve Liman Sallauka, Xhevat Sallauka, Nexhmi Krasniqi dhe Ramadan Paçarizi, duke u bazuar në rrezikun real që ata paraqesin për jetën, trupin apo pasurinë e të tjerëve, si dhe për rrjedhën normale dhe të papenguar të procedurës hetimore.
Sipas prokurorit, pamjaftueshmëria e masave tjera më të lehta, të parashikuara me Nenin 171 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, është shqyrtuar në mënyrë të hollësishme, por në bazë të rrethanave konkrete të rastit, është vlerësuar se ato masa nuk garantojnë prezencën e të pandehurve dhe nuk mund të sigurojnë zhvillimin e rregullt të procedurës penale.
Për këto arsye, prokuroria ka propozuar që gjyqtari i procedurës paraprake të caktojë masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji ndaj katër të pandehurve, me qëllim të sigurimit të kushteve për një proces hetimor të papenguar dhe ligjërisht të mbrojtur.