Qytetarët ankohen për bllokada me orë të tëra në trafik, Uran Ismaili thirrje të hapet sheshi “Xhorxh Bush”
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka zgjedhur një formë të pazakontë për të komunikuar me qytetarët rreth ideve të tij.
Ai ka dalë në terren, konkretisht në sheshin “Xhorxh Bush”, duke biseduar me qytetarët rreth propozimeve të tij më të diskutuara të ditëve të fundit – hapjen e përkohshme të këtij segmenti për qarkullim.
Në një video të shpërndarë në rrjetet e tij sociale, Ismaili ndalon disa qytetarë dhe diskuton për këtë plan, duke theksuar se hapja do të ndihmonte në uljen e trafikut në qytet.
“Unë mendoj që duhet me u hap sa ma shpejt. Rrugët janë blloku. Kjo është zemra e kryeqytetit për komunikacion – çdo herë ka qenë”, tha një qytetar.
Ndërsa një qytetare u shpreh se duhet me u hap pasi çdo ditë mbetet ka 45 minuta e bllokuar në trafik derisa shkon me i marrë fëmijët në çerdhe.
Ismaili vuri në dukje se janë bërë afro katër vjet që sheshi është mbyllur pa një plan konkret, çka ka sjellë kaos në trafikun e qytetit dhe ka vështirësuar jetën e qytetarëve dhe bizneseve përreth.
“Mos të keqkuptohemi, krejt kemi qejf me pas një shesh të madh në qendër të Prishtinës. Mirëpo, jo shkel e shko – jo kështu, duke e blloku trafikun qe katër vite pa ofru kurrfarë zgjidhje,” shton Ismaili.