Dyshimet për vrasjen tragjike të Enver Bajraktarit, çka dihet deri tani

Vdekja e Enver Bajraktarit nga fshati Baicë i Lipjanit ka tronditur familjen e tij dhe opinionin publik. Ai ishte raportuar i zhdukur nga familja një ditë më parë, ndërsa më pas u gjet pa shenja jete dhe i varrosur dy metra në thellësi.

Kushëriri i viktimës, Avni Bajraktari tha se Enveri i kishte çuar lopën për kullotë në ara, para se të zhdukej.

Derisa bëhet e ditur se të shtunën ai kishte shkuar me autobus në Tiranë për t’i pritur djemtë e tij që kishin ardhur nga Franca dhe Italia.

“Unë si fillim jam kanë në një lokal ku shkojmë çdo mëngjes për kafe, kam taku një kojshi dhe më tha e e gjetët Velin, tha jo Veli s’o. E kam thirr kushëririn tjetër, Besartin, i cili tha se u zhduk prej djeshit. Kanë thirrë dronin policia. Kemi dal krejt teposhtë, rend komplet. Unë isha me një vëlla temin dhe një kojshi tjetër, kur shkum pak si poshtë, në dalje prej kollomoqit, tha diçka paska shku qisajd. Dhe për qatë gjurmë jena shku dhe e gjetëm venin. Nonstop me ne kanë qenë njësite policore”, tha Avni Bajraktari.

Familjarët e tij kanë deklaruar se Enveri nuk kishte probleme apo konflikte me ndonjë person të caktuar.

Policia dhe Prokuroria e Shtetit kanë nisur hetimet për të zbuluar rrethanat e kësaj vdekjeje të dyshimtë. Sipas informacioneve të siguruara nga Klan Kosova, viktima është gjetur nga familjarët, i groposur disa metra nën tokë në një arë të mbjellë me misër.  Grupi që po kërkonte Enverin arriti ta gjente vendin ku ishte varrosur, duke ndjekur shenjat që tregonin se ai ishte tërhequr zvarrë deri aty.