Qindra ish-zyrtarë izraelitë kërkojnë nga Trumpi të ndalojë luftën në Gaza
Përderisa numri i viktimave civile në Rripin e Gazës po rritet pa ndërprerë, qindra ish-zyrtarë të sigurisë së Izraelit i kanë dërguar letër të hapur presidentit amerikan Donald Trump, në të cilën kërkojnë që ai të ushtrojë presion mbi Tel Avivin për ndalimin e menjëhershëm të luftës.
Zyrtarët në Rripin e Gazës kanë njoftuar se që nga orët e mëngjesit, si pasojë e operacioneve të ndryshme izraelite, si dhe hapjes së zjarrit drejtë civilëve që presin për ndihma humanitare, janë vrarë së paku 70 civilë, përderisa qindra të tjerë janë plagosur.
Njëkohësisht mediumet e ndryshme kanë raportuar se kryeministri Izraelit, Bunjamin Netanyahu, ka kërkuar që forcat mbrojtëse të Izraelit të përgatiten për zgjerimin e mëtejmë të operacioneve ushtarake në këtë territor.
Përderisa gjendja në Gaza përkeqësohet, një grup prej më shumë se 600 zyrtarëve të pensionuar të Sigurisë së Izraelit i kanë dërguar një letër të hapur presidentit amerikan, Donald Trump, në të cilën kanë kërkuar që ai të krijojë presion mbi Netayahun dhe qeverinë izraelite për të ndaluar luftën, të cilën ata më nuk e shohin të nevojshme.
Mes tjerash, në letrën e nënshkruar nga qindra ish-zyrtarë, përfshirë edhe ish krerët e Mossad-it, Shin Beth-it, si dhe nga ish-kryeministri Ehud Barak, thuhet se, sipas mendimit të tyre profesional, Hamasi më nuk është kërcënim strategjik për Izraelin. Ata shtojnë se, fillimisht, lufta në Gaza ka qenë luftë e drejtë, por, me arritjen e objektivave ushtarake, kjo luftë më nuk mund të quhet e drejtë.
Letra e hapur, e nënshkruar nga grupi më i madh i ish gjeneralëve dhe zyrtarëve të lartë izraelitë, është edhe një shenjë e rritjes së kundërshtimit për operacionet në Gaza brenda shoqërisë izraelite, gjatë muajve të fundit, qindra mijëra qytetarë kanë protestuar kundër kësaj lufte, duke kërkuar arritjen e paqes dhe lirimin e menjëhershëm të pengjeve./rtk