Shaqir Totaj shprehet i bindur se do ta fitoj Prizrenin

Kryetari në detyrë i Prizrenit nga radhët e PDK-së, Shaqir Totaj, ka deklaruar  se ka vendosur të rikandidojë për një mandat të ri, duke theksuar sukseset e arritura gjatë qeverisjes aktuale dhe rëndësinë e vazhdimit të projekteve të nisura.

“Deri më tani qeverisja lokale në Prizren është treguar e suksesshme. Kemi realizuar një numër serioz të projekteve, kemi indikatorë të matshëm dhe financiarë që tregojnë se kemi bërë një punë të mirë. Qelsi i kësaj qeverisjeje ka qenë puna ekipore dhe serioziteti,” u shpreh Totaj.

Ai shtoi se, përveç përfundimit të projekteve ekzistuese, synon edhe fillimin e disa të rejave që janë planifikuar, dhe beson fuqishëm në fitoren e tij, qoftë në raundin e parë apo të dytë.

“Besoj që fitoj me balotazh apo pa balotazh, kjo mbetet të shihet – gjasat janë shumë të larta.”

Shaqir Totaj, ka fajësuar mungesën e bashkëpunimit të ngushtë me Qeverinë e Kosovës për mosrealizimin e projektit të nënkalimit, i cili nuk është përfunduar gjatë mandatit të tij të parë.

“Nënkalimi do të vazhdojë në mandatin e dytë, edhe pse është dashur të përfundojë në mandatin e parë. Ka munguar buxheti i mjaftueshëm dhe nuk ka pasur një bashkëpunim intensiv me Qeverinë. Është dashur që inatet politike të mos ndikojnë në komuna,” tha Totaj.

Ai theksoi se problemet financiare dhe mungesa e koordinimit institucional kanë ndikuar drejtpërdrejt në zvarritjen e projektit.

Totaj ka shprehur bindjen se në mandatin e ardhshëm do të ketë më shumë përkrahje për përfundimin e tij, duke theksuar se qytetarët meritojnë projekte të mëdha infrastrukturore që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre./teve1