Të paktën 33 palestinezë të vrarë nga zjarri izraelit, ndërsa kërkonin ndihma ushqimore
Të paktën 33 palestinezë janë vrarë nga zjarri izraelit ndërsa përpiqeshin të siguronin ndihma ushqimore në Gazë, sipas spitaleve të zonës.
Dëshmitarë raportuan se u përballën me breshëri plumbash teksa turma të uritura po i afroheshin pikave të ndarjes së ndihmave.
Shoqata Palestineze e Gjysmëhënës së Kuqe tha se një punonjës i saj u vra kur forcat izraelite granatuan zyrën e tyre.
Dy spitale në jug dhe qendër të Gazës raportuan se kanë pranuar trupa të vrarësh përgjatë rrugëve që çojnë drejt pikave të ndihmës të mbështetura nga Izraeli, përfshirë 11 të vrarë në zonën Teina, teksa po përpiqeshin të arrinin një pikë shpërndarjeje në Khan Younis.
Tre dëshmitarë palestinezë thanë për Associated Press se panë ushtarë që hapnin zjarr përgjatë këtyre rrugëve, të cilat ndodhen në zona ushtarake.
Njëri prej tyre, Yousef Abed, përshkroi se ishte vënë nën zjarr të pakontrolluar dhe pa të paktën tre persona të plagosur rëndë në tokë.
“Nuk munda t’i ndihmoja nga të shtënat”, ka thënë ai.
Ushtria izraelite theksoi se po shqyrton pretendimin e Gjysmëhënës së Kuqe dhe se nuk është në dijeni për viktima të shkaktuara nga zjarri i saj pranë pikave të ndihmës në jug.
Sipas shifrave të OKB-së, 859 persona janë vrarë pranë pikave të ndihmës të Fondacionit Humanitar të Gazës nga 27 maji deri më 31 korrik, ndërsa qindra të tjerë janë vrarë përgjatë rrugëve të karvanëve ushqimorë të drejtuar nga OKB. /Telegrafi