Shkëndija gati për sfidën me Qarabagun, Beqiri dhe Ibraimi optimistë para ndeshjes
Skuadra shqiptare nga Tetova, Shkëndija, nesër do të përballet me kampionët e Azerbajxhanit, Qarabag, në ndeshjen e parë të raundit të tretë kualifikues për Ligën e Kampionëve.
Në prag të këtij dueli të rëndësishëm, trajneri Jeton Beqiri dhe kapiteni Besart Ibraimi kanë folur para gazetarëve në konferencën për shtyp, duke shprehur besimin e tyre për një paraqitje dinjitoze.
Jeton Beqiri tha se skuadra e tij respekton kundërshtarin, por mbi të gjitha respekton vetveten dhe fanellën që përfaqëson:
“Duhet të paraqitemi në nivelin më të lartë të mundshëm në Ligën e Kampionëve. Besoj se kemi shanset tona, por duhet të jemi maksimalisht të fokusuar dhe agresivë në lojë. Çdo rast duhet shfrytëzuar. Kjo ndeshje nuk do të vendosë gjithçka, por një rezultat pozitiv do të na ndihmonte shumë për sfidën e kthimit”.
Nga ana tjetër, kapiteni Besart Ibraimi theksoi vetëbesimin dhe unitetin brenda ekipit:
“Ne besojmë në forcat tona dhe shpresojmë që të vazhdojmë këtë rrugëtim. Qarabagu është kundërshtar i fortë, por edhe ne kemi cilësi dhe do të japim maksimumin për t’u kualifikuar”.
Ndërkohë, në shortin e hedhur sot në Nion të Zvicrës, UEFA ka përcaktuar edhe skemën për fazën “play-off” të Ligës së Kampionëve. Fituesi i çiftit Shkëndija – Qarabag do të përballet me fituesin e ndeshjes Ludogorets (Bullgari) – Ferencvaros (Hungari).
Në rast eliminimi nga Qarabagu, Shkëndija do të ketë sërish njërin prej këtyre dy kundërshtarëve në rrugën e kampionëve të Ligës së Evropës. Ndeshja Shkëndija – Qarabagu luhet nesër 05.08.2025 në Arenën “Todor Proeski” në Shkup me fillim në orën 20:00.