Ishte prezent dhe nuk reagoi, por Mickoski sot dënon thirrjet antishqiptare në Kumanovë
Kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski tha se dënon thirrjet nacionaliste dhe ksenofobe kundër shqiptarëve gjatë një ndeshjeje të zhvilluar në Kumanovë. Ndërkaq, Presidentja e Kosovës ka kërkuar që shteti fqinj të marrë masa të menjëhershme kundër organizatorëve të thirrjeve antishqiptare.
Sipas politikanëve shqiptarë në Maqedoni të Veriut, në fundjavë, gjatë ndeshjes mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë në basketboll u dëgjuan thirrje sikurse “shqiptar i mirë është shqiptari i vdekur”, “dhoma gazi për shqiptarët”, “Maqedoni e pastër”.
Në këtë ngjarje, që ishte ndeshja e parë e fazës së dytë të parakualifikimeve për Kupën e Botës që do të mbahet në Katar në vitin 2027, të pranishëm ishin edhe kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski, zëvendëskryeministri Ivan Stoilkoviq dhe ministri i Punëve të Brendshme, Panço Toshkovski.
Mickoski gjatë një prononcimi për media më 4 gusht tha se edhe pse ishte i pranishëm në sallë, nuk i “vura re” tifozët që brohoritën këto thirrje, pasi tha se “fjalë për një grup të vogël njerëzish”.
“Dua ta shfrytëzoj këtë rast për t’iu bashkuar dënimit të nacionalizmit dhe ksenofobisë – së pari për atë që ndodhi gjatë ndeshjes së basketbollit ndërmjet Maqedonisë [së Veriut] dhe Rumanisë, e më pas për të dërguar një mesazh te të gjitha grupet e tifozëve: të mbështesin në mënyrë sportive, ta përkrahin ekipin e tyre dhe përfaqësuesen kombëtare të Maqedonisë”, tha Mickoski.
Ai tha se thirrjet kundër shqiptarëve “do të jetë objekt hetimi dhe sanksionesh, pa marrë parasysh nga vjen”. Prokuroria maqedonase ka nisur hetimet për këtë ngjarje.
“Dua të përsëris edhe një herë: e dënoj në mënyrë absolute brohoritjen e pazakontë dhe të papranueshme të disa individëve, të cilët nuk hasën në mbështetje nga asnjë prej të pranishmëve në sallë”, tha ai.
Kurse ministri i Sportit, Borko Ristovski, tha se kjo ministri nuk mund të reagojë konkretisht ndaj kësaj ngjarjeje, “sepse nuk vjen nga ndonjë subjekt sportiv – vjen nga tifozë në tribunë – dhe nuk kemi asnjë kompetencë për të reaguar kur bëhet fjalë për tifozët”.
“Megjithatë, le ta shfrytëzoj këtë rast për të bërë një apel: në Maqedoni nuk ka nevojë për brohoritje të tilla, as nga njëra anë, as nga tjetra, nga askush, nga cilado anë që të vijë”.
Ai shtoi se “nga pozita e Ministrisë së Sportit, nuk mund të bëjmë gjë tjetër përveçse të ndihmojmë në identifikimin e tyre dhe të veprojmë në përputhje me ligjin”.
Kodi Penal i Maqedonisë së Veriut parasheh dënime për thirrjet raciste dhe gjuhën e urrejtjes në disa nene, ndërsa më i rëndësishmi është neni 319, i cili parashikon se kushdo që nxit ose përhap publikisht urrejtje, përçarje apo jotolerancë mbi baza racore, fetare, etnike apo kombëtare, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet. /Rel